Nuk paska qenë aq e thjeshtë dhe aq bujare oferta e Deutsche Telecom për t’i “dhuruar” qeverisë shqiptare instalimin e 10 mijë matësave inteligjentë të energjisë. Ky projekt pilot që do të shtrihet në autostradën Tiranë- Durrës dhe në disa zona informale, në varësi të ecurisë do t’i hapë rrugën më pas një tenderi për t’i vendosur këto matësa në të gjithë Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama e paraqiti këtë bashkëpunim me DT (Deutsche Telecom) si një ndihmë të madhe nga një vend mik si Gjermania, pa harruar të falenderojë edhe kancelaren Merkel.
Eshtë ende shpejt për të parashikuar se tenderi pas këtij projekti- pilot do t’i jepet DT, por shenjat janë të qarta. Vetë kryeministri e tha puthuajse hapur një gjë të tillë kur prezantoi projektin para disa ditëve. “Në kemi rënë dakord të nisim së bashku punën për një Projekt Pilot, i cili do të mbulohet tërësisht nga pikëpamja financiare nga kompania Deutsche Telekom, që nga ana e saj është e interesuar të shikojë përmes këtij projekti gjithë të dhënat e terrenit, vështirësitë, sfidat që duhet të përballojë ky inovacion teknologjik, kaq rrënjësor dhe kaq i rëndësishëm, si dhe potencialin e interesit të drejtpërdrejtë të kompanisë nga pikëpamja financiare”, tha Edi Rama. Pra është e qartë, që DT po investon për 10 mijë matësa për të parë “potencialin e interesit të drejtpërdrejtë të kompanisë nga pikëpamja financiare” që nënkupton indteresin për tenderin e qeverisë për të vendosur matësat në të gjithë Shqipërinë. Instalimi më pas i të paktën 200 mijë matësave në të gjithë vendin është një super biznes. Nëse për një matës kompania që i instalon ato fiton të paktën 50 euro, është e lehtë të bëhen llogaritë.
Por këto hesape i takojnë të ardhmes. Tani për tani janë disa pikëpyetje të tjera që ngrenë dyshime të mëdha. Sa është kosto për këtë projekt privat? Përse u kërkua, u ofrua apo u gjend për këtë projekt pilot DT dhe jo ndonjë kompani e njohur në fushën përkatëse? A ka konflikt interesi mes shtetit shqiptar dhe DT që është njëkohësisht edhe pronar i telefonisë mobile AMC?
Sipas revistës së njohur ekonomike Monitor, problemi i parë ka të bëjë me procesin e projektit pilot që u zhvillua pa tender dhe nuk u dha asnjë detaj për koston e tij, por u la të nënkuptohet që do të jetë mbështetje financiare e Deutche Telecom.
Po kështu, në numrin e saj të fundit, Monitor shkruan se kompania gjermane nuk ka asnjë përvojë dhe asnjë lidhje me instalimin e matësave të enrgjisë. “Deutche Telecom është një kompani e njohur lider në fushën e telekomunikacioneve, që sipas faqes së saj zyrtare ofron shërbime të telefonisë fikse /broadband, telefoni celulare, internet, produkte IPTV, dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit për bizneset dhe klientët e korporatave. Pra, ndonëse një kompani lider globale në fushën e saj, nuk ka përvojë direkte në fushën e energjisë”, shkruan Monitor për të dalë më pas edhe tek problemi i tretë, që duket së largu që është pika më e errët në këtë aferë.
Deutche Telecom është edhe aksioneri apo pronari i kompanisë shqiptare të telefonisë celulare AMC, të cilës në gusht 2014 i përfundoi licenca 15 vjeçare. AMC është në pritje të marrjes së licencës së re, vendim të cilin AKEp e shtyu në gusht.
Sipas Monitor, “procesi është shoqëruar me mungesë transparence lidhur me vlerën që duhet të ketë licenca e re. Ekspertët kanë vlerësuar gjithsesi se vlera e çmimit që do të paguhet nga AMC për rinovimin e licencës së saj për një periudhë te re 15 vjeçare do të duhet te jetë në diapazonin prej 45- 100 Mln euro, nisur nga ecuria e kompanisë në 15 vitet e para, nga potenciali i biznesit të kësaj kompanie në 15 vitet e ardhshme apo duke u nisur nga eksperienca të ngjashme të rinovimit të Licencave të ngjashme në vende të ngjashme me Shqipërinë”. Por në fakt çfarë pritet të ndodhë. Monitor u referohet burime konfidenciale se “AMC pritet të marrë së shpejti licencën e re, që nuk do të jetë më shumë se 11 milionë euro, pra shumë, shumë më e ulët sesa vlera reale e saj, sipas eksperteve. Mesa duket, qeveria është “kënaqur” me dhuraten e DT per matësat inteligjentë (që nuk vleresohet se do të mund të kushtojnë më shumë se 5- 7 milionë euro dhe që për më tepër do të mund t’i vendosë cilado kompani e profilizuar në këtë fushë), duke i bërë tolerime të forta në një biznes tjetër, atë të telefonisë celulare, që deri tani ka rezultuar shumë fitimprurës”, shkruan revista.
Nuk ka dyshim se nëse është kështu, pas gjithë kësaj historie “inteligjente” të matësave inteligjentë, fshihet një aferë e trashë korrupsioni. Pa analizuar faktin se DT mund të favorizohet më pas në marrjen e tenderit për vendosjen e matësave në të gjithë Shqipërinë, do të mjaftonte fakti që kjo kompani është në pritje të një license disamilionëshe nga shteti shqiptar për një biznes me super fitim si ai i telefonisë celulare, që qeveria shqiptare të mos pranonte “dhurata” të tilla. Zëra nga vetë qeveria thonë se pas gjithë kësaj afere qëndron një nga deputetët socialistë me ndikimin më të madh në administratën shtetërore, të afërm të të cilit punojnë dhe kanë lidhje me kompaninë AMC. Laspi.al është duke investuar në këtë drejtim. Gjithnjë sipas këtyre zërave, veç përfitimit direkt nga ulja e çmimit të licenses së AMC në kurriz të konsumatorëve shqiptarë, nëse DT, pas projektit pilot, do të fitojë tenderin për instalimin e matësave në të gjithë vendin i jepet mundësia për fitime të mëdha dhe pse jo për vendosjen e shërbimeve të internetit, telefonisë, iptv etj (për të cilat është lider në tregun botëror) bashkë me matësat në dhjetëra mijëra klientë. lapsi