Një 40-vjecar nga Tirana pasi ka ushtruar dhunë fizike mbi bashkëshorten e tij, ka vendosur që t’i djegë edhe banesën. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Zallmner të Tiranës. Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasi A.N, 40 vjeç për disa minuta është konfliktuar me bashkëshorten e tij për motive banale.
Më pas ai ka ushtruar dhunë fizike, duke i shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Duket se nuk është mjaftuar vetëm me kaq, por ai i ka vënë flakën banesës në të cilën jetonte me 30-vjeçaren Sh.N, prej disa vitesh. Ndonëse kjo e fundit është përpjekur që të shuajë zjarrin, dhunuesi nuk e ka lënë, por ka qëndruar aty deri sa flakët dogjën pjesën më të madhe të orendive shtëpiake.
Më pas është larguar nga fshati, për t’i shpëtuar arrestimit të policisë. Gruaja e dhunuar pasi është siguruar që 40-vjeçari ishte larguar, ka telefonuar policinë për të bërë denoncim mbi bashkëshortin e saj. Pas marrjes së kallëzimit, uniformat blu e kanë shpallur dhunuesin në kërkim policor.















