Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i Kongresit të Lushnjes, një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë kombëtare për vendimet që mori, ndërkohë që qeveria e dalë nga ky kongres, zgjodhi në krye të saj patriotin Sulejman Delvina.
Më 11 shkurt të vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja iu bë asaj nga populli i këtij qyteti, të cilit iu desh ta mbronte me gjak këtë qeveri. Atë ditë në godinën e cila ndodhet në fillim të rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare me kryeministër Sulejman Delvinën.
Sa i përket gjenezës së qytetit mund të themi se: Për herë të parë emri Tiranë përmendet në vitin 1418, në një dokument venedikas për t’u kujtuar në shekullin e 15-të nga historiani dhe shkrimtari i madh Marin Barleti.
Si datë e themelimit të Tiranës si qytet në zemër të Shqipërisë merret viti 1614, kur me kujdesin e Sulejman pashë Bargjinit u ngrit bërthama e parë e qytetit me një xhami, një banjë (hamam), një furrë dhe disa dyqane.
Tirana për gati dy shekuj qëndroi nën degën e familjes Toptani nga Kruja. Që nga mesi i shekullit XVII-të Tirana nisi të zhvillohej dhe në të u ndërtua një pazar i pajisur me zejtari të ndryshme.
Po aq të lashta sa edhe vetë qyteti janë edhe dy lagjet , ajo e Mujos dhe e Pazarit që ndodhen në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit.
Në vitin 1789 nisi të ndërtohej xhamia e Et’hem Beut , në vitin 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, në gjysmën e parë të shekullit XIX-të mbi lumin Lanë u ndërtuan dy ura ajo e Tabakëve dhe ura e Terzijve. Çezmat në Tiranë megjithëse të pakta konsideroheshin si diçka e shenjtë. Mund të përmendim këtu kroin e Banes, çezmën e Kroit të Shëngjinit etj.
Tirana ndodhet 110 metra mbi nivelin e detit dhe ka një shtrirje gjeografike në të njëjtin paralel me Napolin, Madridin dhe Stambollin, si dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin.














