Një tjetër dëshmi për dhunë në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër është rrëfyer sot në emisionin “Shqipëria Live”, nga Ndoi Rripa.
Ai ka jetuar aty nga viti 2004 deri në 2013-n, e shprehet se fjalët e Adriana Berishës dhe Ervis Zefit janë të vërteta për dhunën dhe përdhunimin.
“I qëndroj pro deklaratave të tyre. Kam qenë person që jam dhunuar fizikisht nga roja i natës. Ai më detyronte të pastroja banjat. Nuk është ai që ka folur Adriana. Ai që më ka dhunuar mua ka qenë roja brenda institucionit, që flinte aty për të na ruajtur ne. Kur e kundërshtoja që të mos pastroja, ai më godiste. Ne si fëmijë e kemi bërë punën e tyre”, shprehet ai.
“Kam qenë 10-11 vjeç. Dhuna nuk ka qenë vetëm për një periudhë moshe, por gjithmonë. Jam goditur shumë herë me hekura, shkopinj si nga kujdestaret femra ashtu edhe meshkuj. Kur vinte drejtori, ato silleshin shumë mirë me ne”, ka vijuar Rripa.
Ndoi gjithashtu ka rrëfyer edhe një rast përdhunimi nga roja i institucionit. Ky i fundit ka përdhunuar një vajzë 13-vjeçare. “E ka marrë te dhoma e tij, e unë kam dëgjuar të bërtiturat. Kur e morën vesh, atë vetëm e larguan nga puna”, ka sqaruar djali.
Ndoi shprehet se vajza asnjëherë nuk ka folur rreth kësaj ngjarje me të tjerët, pasi kishte frikë dhe e mohonte.
Gjithashtu i riu shprehet se nuk ka besim te drejtësia, edhe pse rrëfimi i tij është shumë i vërtetë.



















