Mediumi më me ndikim në Britani të Madhe, The Guardian shkruan se kanë filluar hetimet ndaj Azem Sylës, dajës së kryeministrit Hashim Thaçi. Sipas The Guardian familjarë të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Hashim Thaçi, janë të lidhur me një vrasës.
Siaps këtij mediumi, EULEX-i ka nisur hetime të premten për lidhjet e mundshme në mes të një vrasësi me pagesë dhe ‘dajës’ së kryeministrit.
“Kjo është hera e parë që një pjesëtar i familjes së Hashim Thaçi është duke u hetuar në një hetim të madh”, thuhet tutje në shkrimin e gazetës britanike.
Sipas “The Guardian”, ky hetim vjen në një kohë kur BE-ja pritet të dërgojë një ekspert ligjor për të hetuar operacionet e EULEX’it i cili është në krizë pas pretendimeve të fundit të informueses britanike, Maria Bamieh, se ky mision ka fshehur dëshmi për korrupsion.
Siç raporton mediumi britanez, hetimet kanë nisur pesë vjet pasi Nazim Bllaca, vrasësi i rrëfyer me pagesë, kishte deklaruar në një video incizim se ka marrë pjesë në disa vrasje të kundërshtarëve politikë si pjesë e një skuadre vrasëse që punonte për SHIK-un, krahu i kundërzbulimit i partisë qeverisëse, PDK, shkruan “The Guardian”.
Hetimet e reja për grupin fantazmë të spiunazhit SHIK, siç shkruan mediumi britanik, mund të del turprues edhe për agjencitë perëndimore të inteligjencës, në veçanti për CIA-n dhe DGSE-në e Francës, mbështetja e së cilëve për Thaçin, PDK-në dhe SHIK-un daton që nga lufta në Kosovë (1998-9).
Sipas gazetës britanike në atë kohë, amerikanët dhe francezët përkrahnin Thaçin si komandantin më të efektshëm të UÇK-së që ka luftuar kundër ushtrisë serbe, e cila kishte ndërmarr një “fushatë të spastrimit etnik”.
(Pjesë nga shkrimi i botuar në The Guardian)















