Serbia nën udhëheqjen e kryeministrit të ri, Aleksandar Vuçiq, është gjetur në mes të ambicioneve për integrim në Bashkim Europian (BE) dhe qëndrimit të tij autokrat.
Vizita e kësaj jave e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i ka shpërfaqur më shumë këto dilema. Qëllimi i kryesor i këtij shteti është anëtarësimi në BE, por njëkohësisht është duke refuzuar aplikimin e sanksioneve ndaj aleatit të tyre tradicional, Rusisë.
Revista prestigjioze, “The Economist”, ka treguar edhe për riafrimin e Serbisë me aleatin e tyre historik, Rusinë.
Në këtë artikull thuhet se, për të festuar vizitën e Putinit, ky shtet kishte organizuar një paradë ushtarake, e cila u mbajt edhe për nderë të përvjetorit të 70-të të çlirimit të Beogradit. Në këtë paradë u paraqiten edhe aeroplanë luftarak rusë, të cilët fluturuan për katër ditë radhazi në qiellin e kryeqytetit serb, Beogradit.
Trajtimi i qeverisjes së Vuçiq-it ndaj mediave serbe, sipas kësaj reviste, thuhet se gjithashtu ka marr një ngjyrim rus. Duke diskutuar lidhur me një temë të ndjeshme, një redaktore seniore ka futur telefonin nën jastëk, duke u frikuar se do të dëgjohet nga shërbimet sekrete. Njëri nga gazetarët e saj, kishte shkuar që ta intervistojë një person i cili, më pas kishte refuzuar të flas, pasi që ishte kërcënuar nga shërbimi sekret. Një nga emisionet më popullore në këtë vend, është ndërprerë së transmetuari. Çdokush që tenton të ngris çështje kundër kryeministrit Vuçiq, rrezikohet të sulmohet nga mediat me lojalitet qeveritar, thuhet në këtë artikull.
Sipas Asociacioni të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, thuhet se në mediat e këtij shteti “po vdes mendimi lirë dhe kritik”, ndërsa gazetaria hulumtuese “nuk ekziston fare”. Gazetarët aplikojnë autocensurë, ndërsa portalet informative kritikuese janë sulmuar (hackeruar).
Vuçiq ka filluar të kontrollojë shtetin, që nga momenti kur ishte filmuar duke i kërkuar ministrave të vet dhe zyrtarëve tjerë që të jenë të qetë.
Megjithëkëtë, shumica e serbëve është treguar se dëshirojnë një kontroll autoritar: një sondazh ka treguar se gjysma e tyre do të votonin sërish partinë e Vuçiq-it, SNS-në. Kjo ndodhë edhe përkundër recesionit ekonomik të vendit, planifikimit për shkurtim të pagave dhe pensioneve, si dhe propozimet për ndërprerjen e subvencioneve për ndërmarrjet shtetërore.
Përkundër gjithë kësaj, Vuçiq duhet që gjithashtu të mbajë të gëzuar BE-në dhe të promovojë stabilitetin rajonal. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet ta vizitojë Beogradin gjatë javës së ardhshme, përkundër hezitimeve nga ndërprerja e ndeshjes së futbollit në mes të dy kombëtareve, për shkak të shpërthimit të dhunës dhe fluturimit të një droni me baner nacionalist shqiptar. Në këtë takim ishte ftuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ndërsa, BE ishte shprehur e kënaqur për angazhimin e 7000 policëve për të mundësuar paradën e krenarisë, ku u paraqiten pjesëtarë të komunitetit LGBT.
Një politikan vendor thotë për The Economist se liderët perëndimor, të prirur për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor, po lejojnë rrëshqitjen e Serbisë drejtë një pushteti autokratik. Për shumë serbë, sipas tij, pyetja është jo nëse Vuçiq është nacionalist, por “nëse ai është demokrat”. Në shumë raporte të BE thuhet se liria e shprehjes dhe e mediave në Serbi është “shqetësim i veçantë”.
















