Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur vizitën e Edi Rames në Beograd dhe ka lavdëruar qëndrimet që ai ka mbajtur atje për Kosovën.
Ja postimi i tij i plotë:
Dua të përshëndes vizitën e rëndësishme të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, duke e vlerësuar këtë takim dypalësh si një hap të frytshëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve dhe në krijimin e një klime të fqinjësisë së mirë për mbarë Ballkanin. Besoj se kjo vizitë historike dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit, po shënojnë një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira e me baza të shëndosha mes dy popujve. Përgëzoj veçanërisht homologun Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur, për mbështetjen që i dha dialogut Prishtinë-Beograd si dhe për solidaritetin që dëshmon për bashkombasit tanë të Luginës së Preshevës. Uroj që dialogu i drejtpërdrejtë mes liderëve të dy shteteve për çështjet e hapura, që u zhvillua kësaj radhe, të vazhdojë edhe në të ardhmen me vullnet të mirë, kurajo dhe sinqeritet, pasi dialogu është forma më e mirë për të arritur në një mirëkuptim dhe stabiltet të qëndrueshëm në rajonin tonë.
















