Zv/kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të nisë ditën e sotme vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, ku ai do të takohet me krerë të lartë të shtetit. Në axhendën e tij është parashikuar fillimisht një takim me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Integrimeve Europiane në Mal të Zi, Igor Lukshiç. Më pas, Hashim Thaçi do të takohet me kryeministrin, Milo Gjukanoviç, me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe me kreun e Kuvendit malazez, Ranko Krivokopiç. Qëllimi i këtyre takimeve do të jetë rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve në shkëmbimin ekonomik, kulturor, për bashkëpunimin rajonal, për projekte infrastrukturore dhe në ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore. Gjatë qëndrimit në Podgoricë, zëvendëskryeministri i Kosovës do të takohet me përfaqësuesit kryesorë të bizneseve malazeze. Thaçi do vijojë me vizitën në Ulqin, ku në shenjë nderimi do të vendosë kurorë me lule në memorialin kushtuar të dëbuarve gjatë Luftës së Kosovës në 1999. Në vijim të kësaj vizite zyrtare, Hashim Thaçi do të takohet edhe me përfaqësuesit kryesorë politik shqiptarë për të bashkëbiseduar rreth gjendjes aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi dhe avancimit të të drejtave të tyre.
Në kuadër të vizitës së tij, Hashim Thaçi do të ruhet nga 1200 policë, kjo për shkak të një proteste që është paralajmëruar të zhvillohet. Mediat malazeze kanë bërë të ditur se edhe ambasada e Kosovës në Mal të Zi ndodhet nën masa të larta sigurie.















