Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar të hënën me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Pas takimit, i cili u mbajt një ditë para vizitës së përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Thaçi ka thënë se Kosova dhe Ballkani Perëndimor “po hyjnë në një javë të rëndësishme“.
Thaçi ka thënë se Lajçak duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur.
“Nuk jam i informuar për agjendën e Lajçakut në Kosovë. Ai duhet ta kuptojë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, çdo qasje tjetër është dështim i tij dhe BE-së në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizim të vizave dhe jo për fjalë”, ka thënë Thaçi.
Ai e ka shmangur përgjigjen direkte se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Sikurse edhe herat tjera, ai ka thënë se “kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës“.
“Duhet të koordinohemi dhe të jemi të bashkuar për të treguar atë që duam në dialogun me Serbinë, njohjen reciproke. Kompetencat për procesin e dialogut janë të qartësuara me Kushtetutë. Do të jemi krah për krah me njëri-tjetrin në procesin e dialogut. Nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, por bashkë përballë Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, nis të martën vizitën e tij në Kosovë.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në këtë shtet, prej emërimit të tij si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.



















