Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkuar edhe një hap më tutje në akuzat e tij ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Thaçi e ka akuzuar Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se “u përpoqën t’i zhdukin faktet inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara“.
Thaçi e ka publikuar në Facebook një video-regjistrim të publikuar nga portali “Insajderi, ku shihet një laborator i përpunimit të drogës, në të cilin, sipas Thaçit, kanë ndërhyrë Kurti, Haxhiu e Sveçla.
Sipër pamjeve të video-regjistrimit, ai ka shkruar se këto pamje dëshmojnë se ‘Grupi Kurti’ dhe ‘familja politike’ e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë tentuar t’i zhdukin faktet inkrimunese nga depoja e aseteve të konfiskuara e sekuestruara.
“Këto pamje dëshmojnë një prej inkriminimeve të Grupit Kurti dhe familjes politike të Ministres së Drejtësisë. Janë pamje nga laboratori i drogës në Prishtinë, që me anëtarin tjetër të këtij grupi kriminal, Xhelal Sveçlën, ditë më parë u përpoqën t’i zhdukin si fakte inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara. Është koha që të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Thaçi i ka bërë të njëjtat akuza edhe në një paraqitje publike në Televizionin “Dukagjini“.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se do të ngre padi për shpifje ndaj presidentit Thaçi.



















