Turqia po kalon momentet e saj më të vështira mbrëmjen e sotme, pasi u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 i shkallës rihter. Epiqendra ishte qyteti Elazig, që ndodhet në pjesën lindore të Turqisë. Ndërkohë, sipas mediave turke është thelluar bilanci tragjik, pasi numri i të vdekurve ka shkuar në 6, ndërsa raportohet për 225 të plagosur.
Ndërkohë qytetarët janë njoftuar që të lënë banesat e tyre, nëse kanë pasur dëme dhe të qëndrojnë në vende të hapura. Mes panikut dhe ankthit, ata qëndrojnë në rrugë, nën temperatura që shkojnë nën zero.
Puna më e vështirë është ajo e forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët po gërmojnë me duar nën gërmadha, ndërsa temperaturat që shkojnë deri në -6 gradë celsius vështirësojnë punën e tyre.




















