Presidentja e Komisionit europian, Ursula von der Leyen premtoi një ndihmë prej 15 milionë eurosh për Shqipërinë e goditur nga tërmeti më i fuqishëm prej dekadash të tëra. Solidarizimi me vendin tonë në këtë moment të vështirë vazhdon, dhe tashmë po materializohet edhe me ndihma konkrete financiare, përvec asaj që mbërriti më parë në formën e ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit dhe më ekspertëve që janë në terren duke verifikuar dëmet strukturore.
“BE-ja është në solidarizim të plotë me Shqipërinë me veprime, jo thjesht me fjalë. Ne jemi duke e dhënë tashmë mbështetjen tonë në terren, jemi të angazhuar të ofrojmë edhe më shumë. Deri tani, Komisioni ka ndihmuar në mobilizimin e tre ekipeve të kërkimit me një staf prej prej më shumë se 200 personash nga Italia, Greqia, dhe Rumania…Komisioneri Lenarcic do të udhëtojë drejt Shqipërisë ku do të shohë nga afër gjendjen dhe të krijojë një tablo me të qartë e te plote të situates se ndërtesave te prekura, si dhe të bëjë një vlerësim paraprak të llojit të ndihmës që nevojitet për rindertimin. Hapi i parë ndërkohë është të alokojmë menjëherë 15 milionë euro në mbështetje të popullit shqiptar”, ka thënë kryetarja e KE-së.
Bashkimi Europian, sic shkruante New York times dy ditë më parë, është vendosur në krye të përpjekjeve për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar. Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara po koordinojnë përpjekjet ndërkombëtare të ndihmës, teksa një ekip i bllokut europian është duke udhëhequr vlerësimin dhe shpërndarjen e ndihmës. Gjashtë shtete anëtare kanë dërguar 50 inxhinierë strukturorë, e të tjerë pritet të mbërrijnë për të vlerësuar dëmet së bashku me homologët vendas.





















