Policia italiane në Romë, ka arrestuar në flagrancë një shqiptar dhe një rumun teksa tentonin të vidhnin një argjendari në rrugën “Acqua Bullicante”. Të arrestuarit janë shtetasit Andi Mera 21 vjeç dhe Bogdan Mainescu 26 vjeç.
Ndërsa në televizion shfaqej ndeshja Rumani–Shqipëri për “Euro 2016”, dy të rinjtë hapnin një vrimë në mur, për të grabitur një argjendari. Ata kanë punuar për orë të tëra në një lokal ngjitur, që ishte në rikonstruksion dhe kanë mundur të thyejnë dhe alarmin e argjendari “Les chic”.
Mirëpo mesa duket nuk e kishin llogaritur mirë situatën. Një kalimtar ka dëgjuar zhurmën e çuditshme që vinte nga argjendaria dhe ka lajmëruar policinë. Policia është gjendur menjëherë në vendngjarje. Agjentët kanë ndjekur vrimën e hapur nga hajdutët, të cilat janë kapur në flagrancë.
Ata kishin arritur të merrni gjysmën e mallit me vlerë dhjetëra mijëra euro, që është rimarrë nga policia dhe dorëzuar pronarit të dyqanit. Këta dy persona akuzohen edhe për dy vjedhje të tjera të bëra në të njëjtën mënyrë, duke vepruar vetëm të dielave.
Policia bën me dije se ata janë protagoniste të një vjedhjeje, nga ku mësohet se kanë hyrë nga pjesa e prapme e bodrumit dhe kanë vjedhur në një magazinë, 2 mijë euro para kesh dhe cigare, me vlerë 3 mijë euro, ndërsa në një tjetër dyqan, celularë me vlerë prej 50 mijë euro.















