Policia e Kosovës është sulmuar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur kur njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në liqenin e Ujmanit. Në këtë moment policia është sulmuar me armë zjarri. Deri më tani është raportuar se nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Policia, ndërkohë, po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin për të zbuluar se kush qëlloi ndaj efektivëve.
“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, ka njoftuar policia.