Rrjetet sociale janë shndërruar në mjet komunikimi për shumë njerëz në botë, e sidomos për të rinjtë. Ky fakt ka bërë që në këto rrjete sociale të hapen faqe e grupe të ndryshme për tema të ndryshme.
Por, kohëve të fundit është vënë re edhe një “biznes” i ri që po përhapet, sidomos në “Facebook”, ai i “punimit të diplomave”.
Një faqe të këtillë, me bazë në Shqipëri, e ka kontaktuar redaksia e “Koha.net” për të mësuar më shumë se çfarë ofron kjo faqe.
“Ne ofrojmë shkrimin e temave të diplomave, nga fillimi deri në fund, si për master, ashtu edhe për bachelor, për çdo fakultet”, thotë bashkëbiseduesi i “Koha.net”.
Ata kanë thënë se bashkëpunojnë edhe me profesorë për secilën degë të fakulteteve në Shqipëri e Kosovë.
Të pyetur nëse kanë pasur edhe “klientë” nga Kosova, ata pranojnë se kanë punuar tema edhe për studentë të Kosovës.
“Nga Kosova kemi 23 punime që po i zhvillojmë”, ka thënë një prej menaxhesve të faqes.
Ndërkaq, duke folur për çmimin e tyre, bashkëbiseduesi ynë bëri me dije se një temë diplome e masterit për afatin e korrikut kushton 350 euro, kurse çmimi zvogëlohet nëse tema e diplomës kërkohet të punohet për në shtator apo tetor.
Çmimi për një temë diplome në bachelor është 280 euro.
















