Teatri Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm i teatrit në vend është në vëmendjen e artistëve, por kjo gjë duket se nuk ndodh nga institucionet e tjera që kanë buxhetin. Godina e Teatrit Kombëtar është pohuar se është në emergjencë, dhe këtë herë janë artistët ata që kërkojnë vëmendje nga shteti, Ministria e Kulturës. Sipas tyre Teatri Kombëtar, më i rëndësishmi në vend, qëndron në një godinë të vitit 1939, dhe deri tani ka pasur vetëm disa riparime, asnjë investim të plotë. Regjisor, aktor, por dhe prof. asc. në Universitetin e Arteve, Genci Fuga pohon se është turp që sot TK ndodhet në këtë gjendje të mjeruar në infrastrukturë. “Jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por nga të gjitha instancat është turp për një vend që investimi i vetëm për Teatrin Kombëtar është bërë më 1939, dhe që nga ajo kohë deri më 2014 s’kemi asgjë, vetëm mballoma dhe riparime, ku ndriçimi dhe fonia janë përtokë. Ne nuk kemi konceptimin e “magjive” në skenë. Unë e di që mund ti kushtojë qeverisë, por duhet investim për Teatrin Kombëtar, qeveria i ka borxh komunitetit të artistëve”, shprehet Genci Fuga, regjisor dhe aktor. Reagimi i Fugës vjen në vijim edhe të artistëve të tjerë, që gjatë kësaj kohe janë shprehur se i takon Ministrisë së Kulturës të shpejtojë punën për shpëtimin e teatrit, ku dhe regjisori dhe aktori Genci Fuga pohon se teatri në Shqipëri ka nivelin më të ulët të buxhetit në rajon. “Teatri jonë ka nivelin më të ulët të buxhetit në rajon për projektet artistike. Më 1998 kur ishte ministër Kulture Edi Rama, ka pasur shumë më tepër investime teatri. Sot nga Ministria e Kulturës pres që ajo të bëjë detyrat e shtëpisë, të kërkojë më shumë buxhete nga ministri Cani, duhet të bashkëpunojnë më shumë”, shton më tej Fuga, i cili në lidhje me rikonstruksionin e teatrit thekson se idealja do të ishte dhe një godinë e re. “Idealja për mua do të ishte ringritja nga e para e këtij teatri, por dhe një godinë tjetër e re në një vend tjetër. Qeverisë i ka mbetur të shlyejë borxhin, që ka që më 1939 për teatrin”, pohon mes të tjerash Genci Fuga. Por një teatër i ri kombëtar është dhe në vëmendjen e aktorit të njohur Arben Dehemi. Me rolet e tij në jetën e tij artistike në teatër, Derhemi është një nga emrat e vlerësuar, i cili thekson se kur flitet për problemet që ka Teatri Kombëtar, apeli i tij nuk shkon vetëm për Ministrinë e Kulturës, por dhe qeverinë. “Për gjendjen në të cilën ndodhet sot Teatri Kombëtar apeli im shkon për kryeministrin. Duhet të jepen 50 milionë euro për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, dhe ta gjejë mundësinë të ndërtohet sa më shpejt. Nëse flitet vetëm për rrugë apo budallallëqe të tjera, për teatrin nuk flitet. Është i vetmi Teatër Kombëtar në vend, askush mos ti shkojë në mend se mund të bëhen pallate aty, por po tek ai vend të ndërtohet një teatër i ri”, shprehet aktori i njohur Arben Derhemi. Jo më zvarritje të problemeve në teatër Deri tani përballë problemeve që ka sot Teatri Kombëtar është folur për rikonstruksione, fjalë për hartime projektesh, por asgjë nuk ka konkrete nga dikasteri ministror. Teatri e vazhdon jetën artistike dhe publiku nuk mungon në premierat teatrore apo dhe shfaqje të tjera, ndërkohë që artistët theksojnë se për problemin që ka Teatri Kombëtar nuk duhet të ketë më zvarritje. Për disa prej aktorëve, çdo ndërhyrje në teatër do të ndihmonte shumë për godinën ekzistuese. Aktori Neritan Liçaj gjatë kësaj kohe nuk ka munguar në skenë, dhe sipas tij dikasteri ministror duhet të bëjë ndërhyrje sa më të shpejtë. “Unë pres që të mos zvarritet kaq gjatë problemi i teatrit. Nga Ministria e Kulturës duhet bërë një ndërhyrje sa më e shpejtë. Me sa duket ministria pret dhe mbylljen e sezonit artistik që të ndërhyjë në teatër, por ndërkohë që gjendja e teatrit është emergjente. Janë strukturat shtetërore që duhet ta përshpejtojnë këtë punë, pasi ka shumë probleme. Derisa është një gjendje e tillë e teatrit, tregon se është një gjendje kritike”, shprehet aktori Neritan Liçaj. Por edhe pse aktorët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë për TK, më herët nga Ministria e Kulturës u bë e ditur se nëse do të ketë ndërhyrje, ajo mund të ndodhë vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2015.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















