Infrastruktura e Teatrit Kombëtar ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për artistët. Në skenë dhe pas saj, ata janë të parët që vuajnë pasojat e amortizimit të godinës që prej vitesh ka shfaqur shumë probleme. Një godinë e amortizuar, e cila kërkon ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksion dhe vëmendjen e institucioneve të tjera që kanë në dorë buxhetet. Teatri Kombëtar sot në një godinë të vjetër me kalimin e viteve ka pësuar degradim, por dhe pse sipas drejtorit të TK, Hervin Çuli, pjesa e spektatorëve nuk paraqet problem, skena, gardëroba, etj, është dhe pjesa më e degraduar. Drejtori Çuli shprehet se problemet e godinës së teatrit tashmë janë të njohura dhe tregon se shpresat janë për ta rimëkëmbur këtë godinë. “Falë zotit deri tani janë bërë 10 skanera për dy muaj në Teatrin Kombëtar. Në Ministrinë e Kulturës çoj letër një herë në dhjetë ditë. Pjesa e skenës është në emergjencë, disa xhepa të skenës që janë problematikë, sepse nga një pallat që është ndërtuar afër teatrit ka pasur një batim, një zhytje të tokës, por specialistët thonë që nuk ka rrezik. Ndërsa pjesa më e degraduar është skena, shirat që ranë bënë që garderoba të mbushej me ujë. Një projekt nga IMK shkon rreth 500 mijë euro për rikonstruksionin që pritet vitin tjetër dhe që duhet të ndërhyjë Ministria e Kulturës”, tregon drejtori Hervin Çuli. Për godinën e TK që drejtori Çuli e cilëson në emergjencë, rikonstruksioni vetëm mund ta shpëtonte dhe disa vjet, ndaj sipas tij ka ardhur koha për një teatër të ri. “Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një teatër të ri kombëtar. Jam i mendimit që ne të spostohemi diku tjetër dhe të fillojë ndërtimi i një teatri të ri”, shton më tej drejtori i TK mbi problemet që ka sot godina. Ndërsa rikonstruksioni apo dhe ndërtimi i një teatri të ri i takojnë vendimit të Ministrisë së Kulturës apo dhe qeverisë, drejtori Çuli tashmë ka nisur zgjidhjen e disa prej problemeve të tjera. Kështu ngrohja e sallës gjatë shfaqjeve është një problem i zgjidhur, ku janë siguruar 10 mijë litra naftë nga një kompani private, por drejtori i teatrit shton gjithashtu se është menduar dhe për ndërtimin e kaldajës së Teatrit Kombëtar, që prej vitesh nuk ka funksionuar. Godina që daton më 1939 Teatri Kombëtar është themeluar më 1945. Megjithëse nuk ka pasur prerje shiriti, pranohet si datëlindje e tij 24 maji, kur trupa e porsakrijuar dhe premierën e “Topazit” të Vinjaut. Teatri Popullor (TP), siç quhej atëherë hyri kështu në histori si i pari teatër profesionist dhe i pari teatër me kompani të përhershme në Shqipëri. Godina është ndërtuar nga italianët më 1939, si klub i “paspunës” (Il Dopolavoro), më qëllim rekrecioni për oficerët dhe punëtorët italianë me banim në Tiranë. Kompleksi përmbante një sallë kinemaje, një pishinë, bar, restorant, sallë bilardoje dhe disa zyra e anekse shërbimi. Ndërsa si teatër filloi të përdoret më 1945, më 1952 u shtua Zdrukthtaria dhe një Atelier për prodhim dekoresh, i projektuar nga arkitekti rus Vasiliev. Më 1977 u bë rikonstroksioni i vetëm. Me këtë rast u zgjerua skena me 4 metra në thellësi dhe 6 metra në lartësi. U mbyll Galeria dhe llozhat e katit të tretë, ku u ndërtua kostumeria, u rindërtua dyshemeja e sallës me pjerrësi 60 cm, u shtuan në anën e djathtë të skenës repartet elektrike, të rekuizitës dhe grimit dhe u instaluan impiante të reja të ndriçimit dhe fonisë, të prodhimit kinez. 10 mijë spektatorë për më shumë se 1 muaj Ndërsa Teatri Kombëtar sot ka një gjendje shumë problematike sa i takon infrastrukturës së tij, kjo gjë nuk e ka larguar spektatorin për të ndjekur shfaqjet teatrore që vihen në skenë. Sipas drejtorit Hervin Çuli vetëm në një muaj e dhjetë ditë, numri i spektatorëve në TK ka arritur 10 mijë. Kjo është një shifër që ky institucion i teatrit sipas tij nuk i ka pasur as në harkun kohor të një viti të kalendarit artistik të sezoneve të mëparshme. “ Me shfaqjet “Udhëtim i gjatë drejt natës” dhe “Vanja, Sonja, Masha, etj” numri i spektatorëve për më shumë se një muaj ka arritur 10 mijë. Ky numër është pesë fish më shumë se sa ka pasur gjatë gjithë vitit TK në sezonet e mëparshme”, u shpreh Çuli për numrin e spektatorëve, çka dëshmon rritje të madhe krahasuar me një vit më parë.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















