Gazmend Zeqiri, është njëri nga 8 mijë qytetarët e Kosovës që morën dënime në kundërshtim me Kushtetutën e vendit nga gjykatësit e gjykatave për vepra të kundërvajtjeve.
Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, dënimet me burgim për vepra të natyrës kundërvajtëse që nga 15 qershori i vitit 2008-të kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Përkundër këtij fakti, Gazmend Zeqiri dhe mijëra qytetarë tjerë janë dënuar me burgim. Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, nga viti 2008 e deri më 2016 sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës dënimet me burgim për vepra të kundërvajtjeve i kanë vuajtur mbi 8 mijë qytetarë.
“Drejtësia në Kosovë” dëshmoi se askush nga institucionet përgjegjëse nuk e kanë vërejtur se dënimet me burgim për veprat të kundërvajtjeve kanë qenë në kundërshtim me normat e kushtetutës. As institucioni i Avokatit të Popullit i cili ka për mandat mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut nuk e ka vërejtur për më shuam se tetë vite që qytetarëve po u shkelen të drejta kushtetuese nga gjykatat tona.
Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, thotë se dënimet me burgim për vepra të kundërvajtjeve paraqesin shkelje të te drejtave kushtetuese, dhe sipas tij përgjegjës për këtë duhet të mbahet shteti.
Poashtu, kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani, thotë se qytetarët që janë prekur nga vendimet antikushtetuese te gjykatave duhet të kompensohen për dëmin që u është shkaktuar dhe kjo sipas tij do ketë një kosto të lartë financiare për shtetin.
Te gjeturat nga hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, nxorën në pah se Neni 29 i Kushtetutës përkufizon se dënime me burgim mund të shqiptohen vetëm për vepra penale e jo për vepra të tjera si kundërvajtjet apo gjobat në trafik. Por, siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, që nga viti 2008 e deri më sot për kundërvajtje burg kanë vuajtur mbi 8 mijë qytetarë të cilët kanë qëndruar nga 2 deri në 60 ditë burgim aq sa parashihej maksimumi i dënimeve për kundërvajtje.






















