Në Galerinë Kombëtare të arteve u çel ekspozita me punimet artistike dhe artizanale të të burgosurave. Të pranishme ishin edhe vetë gratë e burgosura dhe në fund të aktivitetit tre prej tyre u shpallën fituese.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe mbështetjen e Bankës Veneto, çelën një ekspozitë unike me punimet artistike dhe artizanale të të burgosurve nga e gjithë Shqipëria.
Ekspozita u hap në sallën “Motra Tone” të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku të pranishëm për të parë nga afër punimet ishin drejtues të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, punonjës socialë që njohin dhe nxisin aftësitë krijuese të personave të privuar nga liria, familjarë të të burgosurve pjesëmarrës në ekspozitë, përfaqësues nga organizata që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe media.
Përpara hapjes së ekspozitës “Edukimi përmes artit” u mbaj një konferencë për shtyp, ku në panel ishin zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bledar Skënderi dhe kuratori i ekspozitës, Ylli Drishti.
Zv/ministri Arben Isaraj, i cili përshëndeti me vlerësime të veçanta çeljen e një ekspozitë të tillë, tha se kjo ekspozitë shpreh tendencën gjithnjë e më pozitive në përqasjen ndaj burgjeve jo si institucione të mbyllura, por si institucione ku jeta vazhdon po njësoj, njerëzit arrijnë të shprehin botën e brendshme dhe të ushqejnë pasionet dhe aspiratat e tyre.
Ndërsa kreu i burgjeve, Artur Zoto, u shpreh se “Rehabilitimi i personave në konflikt me ligj mbetet prioriteti kryesor i veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.
Ekspozita nën sloganin “Edukimi përmes artit”, për herë të parë sjell individë me liri të kufizuar të ekspozojnë punimet e tyre në një institucion kombëtar si Galeria Kombëtare e Arteve.
Çmimi i parë iu dha Vesel Hoxhës, nga IEVP Elbasan, me pikturën “Natyrë e qetë” (shegë në tryezë), i cili përfitoi mundësinë e një ekspozite personale me punimet e tij, që do të përgatitet në muajt në vijim. Çmimi i dytë iu dha Albana Lazaj, e IEVP “Ali Demi”, për punimet artizanale në grep, qëndisje dhe objekte me rruaza, e cila përfitoi mundësinë e botimit të një katalogu me punimet e saj. Çmimi i tretë iu dha Niku Beqirit, i IEVP Peqin, për pikturën “Natë me hënë”, i cili përfitoi një set me telajo, penela dhe bojëra. Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe nesër për vizitorët.


















