“Në Bashkimin evropian nuk ka asnjë dyshim për shumicën e reflektuar me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe kjo është shtytje për të vazhduar me punët dhe obligimet që i ka parlamenti. Ivanov ka obligim që në afat prej 10 ditësh të reflektojë dhe të japë mandate. Nëse ai nuk jep mandate, në mënyrë hipotetike të mendojmë tani, Parlamenti ka të drejtë ekskluzive për çështje të vendosjes së zgjedhjes së Qeverisë së ardhshme dhe në këtë kontekst, kompetenca e parlamentit dhe kryetarit të parlamentit nuk varet nga asnjë institucion tjetër”, deklaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Mandatari potencial Zoran Zaev shprehet i gatshëm ta takojë përsëri Ivanovin, për t’i garantuar që do të punojë në pajtim me Kushtetutën dhe perspektivën euro-integruese.
“Unë jam i gatshëm ta takoj z. Ivanov, do të bisedoj edhe me partnerët e koalicionit dhe liderët tjerë nëse duan të më shoqërojnë dhe të shkojmë edhe njëherë ta garantojmë unitetin, Kushtetueshmërinë, multietnicitetin, perspektivën në NATO dhe BE. Ekziston mundësia që Qeveria të zgjidhet deri në fund të muajit, në pajtim me ligjet por varet nga vendimi i z. Ivanov nëse do ta japë mandatin, varet nga përgatitja teknike e Kuvendit, nëse atje funksionojnë sistemet që deputetët të punojnë si duhet”, deklaroi kryetar i LSDM-së Zoran Zaev.
Këto komente Zaev i bëri pas takimit mes përfaqësues të OSBE- së për një strategji të parandalimit të tensioneve dhe krizave dhe nxitjes së reformave në vend. Qëndrimin e ngjashëm e përsëriti edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit me euro-ambasadorin Samuel Zhbogar ku tha se Ivanov duhet që t’i dorëzoi mandatin shumicës së re reformuese parlamentare. Nga ana tjetër, vendimi për zgjedhjen e Xhaferit kryeparlamentar akoma nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare. Nga kjo ndërmarrje deklarojnë se kanë pranuar kërkesën nga Kuvendi por vendimi do të publikohet javën e ardhshme.
“Sipas ligjeve pozitive, në lidhje me kërkesën e dërguar, vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të kuvendit do të publikohet gjatë javës së ardhshme, në numrin e parë të ardhshëm të Gazetës Zyrtare”, thuhet në Gazetën Zyrtare.
Ekspertët kritikojnë qasjen e BDI-së për zgjedhjen e një deputeti shqiptar në krye të Kuvendit, dhjetë vite pasi nuk kanë arritur ta kenë këtë post gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në.
“Mburrja e ditëve të fundit është gabim i PR-it të tyre. Ata duhet ta dinë se nuk është moment për fushatë parazgjedhore, nuk është moment as për fushatë për zgjedhjet lokale, as për fushatë për zgjedhje parlamentare. Gjaku i derdhur i deputetit shqiptar aty nuk na lejon që të bëjmë skena të tilla mburrjeje dhe keqpërdorime të emocioneve me flamurin kombëtar, etj. Si shqiptar do t’i kisha porositur që të jenë pak më të kujdesshëm”, tha ish ministëri Sulejman Rushiti.
Zgjedhjen e Xhaferit e kundërshtoi VMRO-DPMNE-ja e cila së fundmi e quajti atë akt diktatorial.























