Largimi i barrikadës nga ura mbi lumin Ibër është fryt i Marrëveshjes së Brukselit dhe kërkesës së vazhdueshme të palës kosovare që të gjitha barrikadat të largohen.
Zv.kryeministrja në detyrë, njëherit kryenegociatorja kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, në një prononcim për Radio Dukagjinin, ka vlerësuar këtë veprim si hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të gjendjes në veriun e Kosovës.
“Kjo ka qenë një barrikadë politike sado që ka pasur edhe pjesën e vet fizike dhe sigurisht se u desh një koordinim shumë i mirë mes Qeverisë së Kosovës, mes partnerëve ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së, për të definuar momentin e duhur për heqjen dhe ky moment ishte mbrëmë pas mesnate”, ka vlerësuar Tahiri.
Tahiri tha se bisedimet do të vazhdojnë, duke premtuar shuarjen e shpejtë edhe të Mbrojtjes civile dhe ofrimin e mundësisë për pjesëtarët e kësaj strukture për t’u inkuadruar në strukturat civile të Kosovës.
Tahiri, duke mos përmendur emra, por duke aluduar tek kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kishte porosi të veçantë për tentimin që t’i marr meritat për largimin e barrikadës.
“Po dëgjoj disa zëra që tentojnë të marrin merita. Nuk dua të apostrofoj me emër, por kjo çështje nuk është e nivelit lokal. Po të ishte e nivelit lokal, do të duhej të përfundonte në vitin 99 dhe jo pas marrëveshjeve të Brukselit. Besoj se porosinë time e dëgjojnë ata liderë lokal të cilët po pretendojnë të marrin merita”.
Tahiri përmendi angazhimet e qeverisë që gjendja të normalizohet dhe gjërat të vihen në vendin e vet duke premtuar zhbërjen e strukturave të mbrojtjes civile.















