“Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Kosovës dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim dhe edhe përkundër përparimeve të mëdha të arritur në dy takimet e fundit për këtë çështje, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakësuar këtë proces”.
“Në këtë takim ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht”.
“Delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht me ligjet e Republikës së Kosovës. Delegacioni i Serbisë edhe pse është nënshkrues i marrëveshjes për telekomin, u mundua që në disa çështje procesi i zbatimi të dalë jashtë ligjeve të Kosovës”.
“Për dallim prej raundit paraprak të bisedimeve, ku u arrit pajtimi për heqjen e barrikadës dhe ku pala serbe kishte qëndrim më konstruktiv, kësaj radhe pala serbe ishte jo serioze dhe kohë-pas-kohe ishin konfuz dhe të pakoordinuar, që linte të kuptohej, që ose nuk kishin gatishmëri apo nuk e njihnin fushën për të cilën kishin ardhur”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, siç thuhet në njoftim, pati polemika të ashpra politike me ç ‘rast ministrja Tahiri ia kujtoi palës serbe se këto janë bisedime ndërshtetërore të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, ndërkohë që hipokrizia politike e palës serbe është e pafundme për faktin se nënshkruan marrëveshje me shtetin e Kosovës me garanca ndërkombëtare dhe në anën tjetër gjatë zbatimit përpiqet të dalë jashtë marrëveshjes.
“Në përpjekje për të përmbyllur hapat zbatuese për kodin, në orët e mbrëmjes në procesin e ndërmjetësimit është inkuadruar edhe drejtoresha për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të znj. Mogherini, znj. Angelina Eichhorst, megjithatë takimi në orët e mëngjesit përfundoi pa i përmbyllur disa nga çështje”.
“Poashtu njoftojmë opinionin se ky takim ka qenë vetëm për çështjet e kodit telefonik dhe se përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq ka gënjyer kur ka thënë se në Bruksel do të bisedohet për asociacionin”.






















