“Nuk është ndjenjë e bukur të duash diçka që të tjerët e hedhin – një bukë bajate ose Bashkimin Evropian”.
Kështu shkruan Nadia Pantel, gazetare e gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, duke analizuar aspiratën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, pas votimit të britanikëve për dalje nga ky union, shprehur në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor.
“Shefat e qeverive të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës e Herecegovinës dhe Malit të Zi sapo kanë theksuar edhe një herë se me kënaqësi do të bëheshin pjesë të unionit. Këtë mund ta konsiderojmë si lajm të mirë ose të keq. Kjo nuk mund të interpretohet si shenjë e dobësisë së BE-së, e cila tani i tërheq vetëm vendet që mezi qëndrojnë si të pavarura: vendet e Ballkanit Perëndimor, të dobëta ekonomikisht dhe jostabile politikisht. Ose kjo mund të intepretohet si shenjë të fuqisë, sepse shumicën e qytetarëve të Ballkanit më shumë i tërheqin premtimet e Perëndimit për mirëqenie se sa favoret që ua ofron Rusia”, shkruan Pantel.
“Atraktiviteti ekonomik i Evropës mbetet i njëjti për vendet jashtë Bashkimit Evropian, gjë që, më në fund, nuk është argument i parëndësishëm për taborin e BREXIT, i cili e sheh këtë si dëshirë të tyre për izolim. Ky tabor vlerëson se migrantët e varfër të Lindjes rrezikojnë vendet e punës dhe kulturën e Perëndimit: këndej Evropa e mirë e vjetër, me para dhe vlera të larta, andej Evropa e kalbur e blloqeve të betonta të banimit, e mbushur me të varfër. Në qoftë se vjen Lindja, duhet të dalim jashtë sistemit […] Edhe vendet më të varfra kanë dëshira dhe ideale që shkojnë pak përtej krijimit të vendeve të punës. Kur një serb ose një boshnjak dëshiron të futet në BE, këtë nuk e dëshiron vetëm që në fund të muajit të ketë më shumë para në llogarinë e tij bankare, por edhe për shkak se kujtimi i shkatërrimit të një unioni tjetër është ende shumë i freskët. Britanikët votuan për të dalë nga BE-ja saktësisht në 25 vjetorin e shkëputjes së Kroacisë dhe Sllovenisë nga Jugosllavia. Qeveria e Beogradit e kishte përgjakur vendimin e qytetarëve të këtyre vendeve që të jenë të pavarur”, shkruan Nadia Pantel në gazetën “Süddeutsche Zeitung”, transmeton B92.
















