Pandemia e Koronavirusit në Shqipëri mund të shkaktojë 100 mijë papunë. Ky është skenari që parashikon Banka e Shqipërisë, si më i mundshmi i nxjerrë nga analiza më e fundit, që parashikon që niveli i papunësi të arrijë në 18.6 për qind. Kjo shifër përkthehet me 100 mijë të papunë dhe do të ishte më e larta në këto 10 vitet e fundit.
Deri më tani si rezultat i efekteve në ekonomi nga pandemia e koronavirusit, shoqatat e biznesit kanë deklaruar se janë 60 mijë të papunë. Porse me raportin tre mujore të Bankës së Shqpërisë kjo shifër parashikohet të jetë më e lartë. Aktualisht norma e papunësisë në Shqipëri është 11.2 %, ndër më të ulëtat në dekadën e fundit, por sipas të dhënave zyrtare, në dy muajt e pandemisë numri i të papunëve që kanë dalë skema e sigurimeve shoqërore ka arritur në 61 mijë individë.
“Rënia e prodhimit pritet të shoqërohet me rënie të punësimit, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave familjare dhe vështirësi financiare për bizneset”, thuhet në studimin e Bankës.
Pjesëe nga studimi, sektorët më të prekur
Ekonomia shqiptare dhe botërore po përballen me krizën e shkaktuar nga COVID-19. Përhapja e shpejtë e pandemisë në terma globalë, ka nxitur masa kufizuese nga qeveritë e pothuaj të gjitha vendeve. Masa të forta janë zbatuar edhe në rastin e Shqipërisë. Vendosja e kufizimeve mbi lëvizjen e qytetarëve dhe mbylljen e aktiviteteve të caktuara ekonomike, ka nxitur goditje si nga ana e kërkesës ashtu edhe nga ajo e ofertës.
Banka e Shqipërisë po monitoron me kujdes ecurinë e sektorit real të ekonomisë. Kjo hapësirë informuese synon të ofrojë një përqasje të mundshme vlerësimi të ndikimit në ekonomi të pandemisë. Rezultatet e paraqitura në të kanë vetëm vlerë ilustruese, pasi bazohen në supozime hipotetike. Ato nuk përfaqësojnë vlerësimet apo parashikimet e Bankës së Shqipërisë, të cilat ndërtohen mbi supozime reale mbi intensitetin dhe kohëzgjatjen e goditjes, por ofron një mekanizëm vlerësues për skenarë të mundshëm goditjeje. Metodologjia bazohet në funksionimin e ekonomisë shqiptare sipas lidhjeve strukturore të identifikuara
Në fillim, paraqesim efektin në ekonomi të një rënieje të supozuar të kërkesës agregate, në nivelin 10%, gjatë harkut kohor të një viti dhe të shpërndarë në mënyrë uniforme në të gjithë komponentët e saj.
Nga pikëpamja e kërkesës agregate, kemi supozuar që rënia prej 10% prek, në mënyrë të njëkohshme dhe të njëtrajtshme, të gjithë komponentët e kërkesës: konsumin familjar, investimet dhe eksportet. Tkurrja e kërkesës agregate pasqyrohet pjesërisht në rënie të PBB-së dhe pjesërisht në rënie të importeve.

Efekti rezultant i këtyre tre goditjeve është një rënie me 13.5% e importeve dhe një rënie me 6.9% e PBB-së. Në të njëjtën kohë, punësimi do të pakësohej me rreth 8.3%, ndërsa shkalla e papunësisë do të rritej me 7.4 pikë përqindje**. Në këtë situatë hipotetike, ndikimi më i madh vjen nga rënia e konsumit privat, i pasuar nga eksportet dhe investimet.
Kjo metodologji mundëson dhe një dezagregim të ndikimit të rënies së kërkesës sipas sektorëve të ekonomisë. Duke qëndruar brenda së njëjtës situatë hipotetike, ndikimi i rënies me 10% të konsumit privat do të gjenerojë një humbje prej 4.0% në produktin e brendshëm bruto, i përqendruar në sektorët e “Bujqësisë”, “Industrisë përpunuese” dhe “Pasurive të paluajtshme”. Po ashtu, një rënie hipotetike me 10% e investimeve do të gjeneronte një humbje prej 1.1% në PBB, të përqendruar kryesisht në sektorin e “Ndërtimit”.
Ndërkohë, rënia hipotetike me 10% e eksporteve do të kishte një ndikim negativ prej rreth 1.8% në PBB, me një shpërndarje relativisht më të gjerë në ekonomi. Këto rezultate janë përmbledhur në grafikun e mëposhtëm.




















