Kur kanë kaluar më shumë se një vit nga protestat e fundit, studentët i janë rikthyer sërish atyre duke bojkotuar edhe mësimin. Një grup studentësh nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë i është përgjigjur thirrjes për revoltë nga organizata Rezistenca Rinore.
Studentët u grumbulluan përpara Korpusit Universitar. Ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë protestë kundër paktit për universitetin që sipas tyre është një mashtrim. Sipas tyre qeveria është në panik nga protesta, ndaj kanë filluar të ndryshojnë edhe oraret e seminareve dhe të aktiviteteve me qëllim pengimin e protestave.
Disa nga studentët u shprehën për mediat se kushtet në konvikte vijojnë që të jenë të njëjtat, sipas tyre mizerabël, Karta e Studentit nuk është adresuar te nevojat që ata kanë, ndërkohë që pakënaqësi kanë shprehur edhe për tarifën e shkollës, bursën, bibliotekën dixhitale dhe çështje të tjera.
Disa nga studentët paralajmërojnë se protesta do të vijojë edhe më e madhe në ditët në vijim. “Pakti nuk u mbajt në asnjë nga pikat. Tarifat u kthyen ku ishin. Ne paguajmë tarifat që paguanim para një viti. Ata që do të merrnim me ulje ishin për një vit dhe tani do të paguajmë sikur ishin për pjesën dërrumese. Ka përjashtime, por dua të marr një shembull, vetëm ata që kanë dy prindërit invalid mund të marrin bursë. Nuk mjafton një për të marrë bursë. Protesta është në dorë të studentëve. Jemi të revoltuar se asnjë nga pikat e paktit nuk është plotësuar dhe ne do të vijojmë deri kur të plotësohen“.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Kushtet janë njëlloj. Jemi në mjerim, tarifat janë të shtrenjta. Asnjë pikë e paktit nuk është ndryshuar, po protestojmë se askujt nuk i intereson për ne” tha një tjetër student. Akuzat nuk munguan as kundër qeverisë. Një student u shpreh u mashtruan me premtimet.



















