Prej dy ditësh kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka denoncuar atë që e cilëson spastrim të heshtur etnik të serbëve ndaj shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë përmes ‘pasivizimit të adresave’ të vendbanimit duke i çregjistruar ata nga regjistrat e gjendjes civile.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euroneës Albania, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha se ky është një shqetësim i njohur dhe ngritur shumë më herët nga drejtuesit politik të kësaj komune, edhe pse u desh të ngrinte zërin një politikane e njohur si Vjosa Osmani që kjo gjë të bëhet mediatike.
Sipas tij, është dëshpëruese dhe për të ardhur keq që megjithëse në gjithë këto vite prej tyre është kërkuar ndihmë duke nisur që nga shteti amë, Shqipëria, e deri tek institucionet ndërkombëtare në Bruksel e SHBA, askush nuk e ka marrë mundimin që t’i japë një zgjidhje kësaj çështjeje…
“Nuk është vetëm çështja që ne si popullatë po shfuqizohemi dhe po shpopullohemi në Luginë të Preshevës, por jemi duke u dobësuar edhe mediatikisht.
Kur e thotë një politikane e madhe si zonja Osmani çështja bëhet publike dhe kjo është për të ardhur keq pasi ne jemi të gjithë shqiptarë, a jemi në politikë ose jo, a jemi apo jo në pushtet, duhet të punojmë që kjo problemaktikë të marrë fund. Kjo është një gjë që zhvillohet prej vitesh, por një vit më parë në Medvegjë ky fenomen ka marrë ritëm të lartë. Ne kemi njoftuar të gjitha institucionet, edhe institucionet ndërkombëtare në Bruksel.
Të gjithë e dinë këtë çështje, dhe më e keqja është se duke e ditur të gjithë, nuk e bëjnë temë në dialogun me Serbinë, ky është një fakt dëshpërues. Edhe në SHBA i kemi njoftuar se shqiptarët e Medvegjës janë shqiptarë më të rrezikuar në gjithë rajonin. Kur dikush të pamundëson të regjistrohesh, të votosh dhe askush nuk kujdeset për këtë, sidomos shteti amë, apo institucionet e Kosovës”, tha z. Arifi.
Ai kërkoi që kjo çështje të jetë pjesë e axhendës së presidencës shqiptare të OSBE/ODIHR, por edhe e dialogut mes Prishtinë e Beogradit./ Euronews



















