Në prononcimin e radhës për mediat, Edmond Spaho ka deklaruar sot se nëse kryeministriRama nuk miraton propozimet e PD, atëherë qytetarët do të marrin në duar të ardhmen e tyre.
“Nëse kryeministri Edi Rama nuk i miraton dy pr/ligjet e paraqitura nga Partia Demokratike, që synojnë uljen e çmimit të naftës dhe energjisë elektrike, atëherë ai konfirmon edhe një herë se ka braktisur popullin e këtij vendi, dhe është aty thjesht për interesat e tij dhe të klientelës që e rrethon”. Kështu deklaroi sot Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht edhe Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.
“Partia Demokratike sapo dorëzoi në Kuvend, dy projektligje që synojnë uljen e çmimit të naftës dhe uljen e çmimit të energjisë.
Nga sot, Edi Rama ka në dorë mundësinë për të miratuar këto projektligje, për t’u shërbyer qytetarëve të vendit, duke hequr taksën e qarkullimit, e duke ulur TVSH-në për energjinë elektrike me masën 14 %.
Deri më sot, Edi Rama ka bërë zgjedhjen e kundërt, ka rritur taksën e qarkullimit në mënyrë të përsëritur, duke bërë që karburanti sot të paguhet nga shqiptarët shumë shtrenjtë, duke i ndaluar ata që të përfitojnë nga ulja e madhe e çmimit të naftës kudo në rajon, në Europë e në botë.
Deri më sot, Edi Rama ka bërë zgjedhjen e kundërt, ka rritur cmimin e energjisë me 25 %, ndërkohë që erdhi në pushtet duke premtuar ulje drastike të faturës, me reduktimin e TVSH-së.
Sot, ai ka në tryezë dy projektligje që do të bënin të mundur kthimin e normalitetit në vend, uljen e çmimit të naftës dhe të energjisë për ekonominë dhe familjet.
Nisma e Partisë Demokratike është materializimi i kërkesës së përditshme të qytetarëve, të cilët po vuajnë papunësinë dhe varfërinë më ekstreme të 20 viteve të fundit, për shkak të politikave dhe taksave të Edi Ramës. Nëse Edi Rama nuk imiraton këto dy iniciativa, ai thjesht do të konfirmojë edhe një herë se ka humbur çdo kontakt me realitetin, ka braktisur popullin e këtij vendi, dhe është aty thjesht për interesat e tij dhe të klientelës qe e rrethon.
Qeveria duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë. Në të kundërt, qytetarët do të marrin vetë në duar të ardhmen e tyre, do të mbrojnë familjet dhe vendin nga kursi i pandalshëm shkatërrimtar i Edi Ramës. Dhe ne do të jemi në ballë të protestave me masive që ka njohur ndonjëherë vendi”, u shpreh më tej ai.
















