Edicioni i parë i Festivalit Italian në Kosovë do të mbahet në Prishtinë nga data 1 deri më 7, duke sjellë aktivitete ekonomike, tregtare dhe promovuese, me synim të prezantojnë kulturën italiane përmes kompanive, konsorciumeve, sipërmarrësve dhe distributorëve.
Të shumta do të jenë nismat në program (modë, veshje, sektori agro-ushqimor, kinema, kulturë, projektim) që do të përfshijë sipërmarrësit italianë në Kosovë, ata që duan të ndërmarrin një aktivitet, strukturat ekonomike kosovare dhe popullsia vendase.
Mbrëmja e parë e Festivalit italian në Kosovë do t’i dedikohet ushqimit italian, ku pranë restorantit italian “Il Passatore” do të shijohen pjatat tradicionale italiane. Më 2 dhjetor, ndërkaq, mbahet seminari “Mundësitë e Biznesit dhe Bashkëpunimi Italian” , ku do të marrin pjesë përfaqësues nga bota e biznesit dhe e bashkëpunimit italian në Kosovë. Dita e dytë e Festivalit italian do të përmbyllet me një aperitiv tipik italian ofruar nga qendra tregtare “Moda Italia”, që do të zhvillohet në përputhje me përvjetorin e tretë të hapjes së saj.
Në ditën e tretë mbahet seminari “Projektimi italian”, ndërsa në të katërtën shfaqen filma me metrazh të shkurtër nga regjisorë italian dhe kosovar.
Të premten mbahet mbrëmja gala pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë, ku mbahet një ekspozitë e produkteve “Made in Italy”, ndërsa në ditët e fundit do të ekspozohen veshje dhe ushqime italiane nëpër dyqane në kryeqytet.
Festivali Italian është organizuar nga ICE Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me ambasadën italiane dhe Kooperacionin Italian për Zhvillim .


















