Festivali i Këngës në RTSH në edicionin e 53, starton sonte në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve. Gara këtë vit sjell 26 këngë të muzikës së lehtë shqiptare në konkurrim. Festivali nga data 26, 27 dhe 28 dhjetor sipas organizatorëve premton surpriza që kanë të bëjnë me anën e spektaklit, por të vlerësuar janë dhe të ftuarit. Konkurrenti i parë që do të çelë sonte festivalin është Enver Petrovci me këngën “Të vranë bukuri”, dhe në natën e parë dhe të dytë do të interpretohen 26 këngët e zgjedhura, ndërsa në natën finale do të jenë në skenë 18 këngë. Deri më tani juria e festivalit nuk është zbuluar dhe vetëm sonte në mbrëmje do të prezantohen shtatë emrat e jurisë që do të votojnë këngët në festival. Sipas Edmond Zhulalit, producent muzikor i festivalit, ky festival është një ndër më të arriturit ndër vite. “Festivali i këtij viti është një ndër më të arriturit, është bërë punë e madhe me afrimin e artistëve më të mirë të vendit. Vijmë në këtë festival pas një pune të gjatë me të gjitha aspektet e realizimit të festivalit. Me prova të shumta të orkestrës, këngëtarëve dhe back vokaleve. Në këtë festival mendoj se gjithçka do shkojë sipas parashikimeve, ka prurje të mira muzikore, që vijnë nëpërmjet këngëtarëve të suksesshëm të muzikës së lehtë shqiptare. Është bërë një punë serioze nga stafi i festivalit”, pohon Zhulali mbi edicionin e 53 në RTSH. Me shumë rëndësi në festival, Edmond Zhulali një emër i njohur i muzikës thekson dhe interpretimin live. “I gjithë festivali do të zhvillohet live, që është një plus i madh. Festivali në RTSH është i veçantë nga të tjerët në Shqipëri, pikërisht për faktin se zhvillohet i tëri live, dhe këtë vit ka konkurrencë të fortë”, pohon Edmond Zhulali mbi festivalin që sonte starton në Pallatin e Kongreseve. Shpëtim Saraçi është drejtor artistik i festivalit, regjisor Bledi Laço dhe prezantues janë Turjan Hyska, Floriana Garo dhe Liberta Spahiu nga Kosova. “Pema e jetës” ka emrin skena e Festivalit të 53-të të Këngës në RTSH, ku do të prezantohen këngët konkurrente, ku 13 janë në natën e parë dhe 13 në natën e dytë. Ndërkaq që platformën e festivalit Laço e sheh si meritë të bashkëpunimit me disa artistë italianë të njohur në fushën e skenografisë; Patrizia Bocconi dhe drejtori italian i fotografisë, Marcelo Lazzeti. Artistët pjesëmarrës të Festivalit të Këngës vijnë në skenë me idenë e kostumografes dhe stilistes Anila Zajmi Katanolli.
Libohova dhe Fejzullahu, në skenë si përshëndetës
Këtë edicion, këngëtarët shqiptarë që janë të ftuar për të përshëndetur janë dy emra të njohur. Irma Libohova dhe Sabri Fejzullahu nga Kosova. Këngëtarja Libohova natën e parë do të jetë në skenë me tre këngë, ndërsa Sabri Fejzullahu gjithashtu me tre nga këngët më të mira të repertorit të rij. Këngëtarja e njohur Irma Libohova vjen sonte para publikut me një këngë të repertor dhe këngë të njohura ndër vite. “Jam me një këngë të re, por kam dhe dy këngë të mia që i kam kënduar vite më parë në festival, si “Horoskopi”. Kënga e re është baladë dhe titullohet “Stina e pestë”. Teksti i këngës është nga një poezi e mikes sime, dhe orkestrim nga Shpëtim Saraçi”, pohon këngëtarja e njohur. Këngëtarja ka shumë vite që i ka munguar festivalit në RTSH si konkurrente, ndërsa si e ftuar ka qenë 4 vite më parë. “Nëse italianët thonë Sanremo është Sanremo, unë do të them që Festivali i RTSH është i RTSH. Gjithmonë ke nostalgji për skenën e festivalit, është dashuri që është rritur me mua dhe dalja për mua në publik nuk do të jetë e lehtë, sepse kur shkëputesh për një kohë të gjatë shtohen emocionet dhe përgjegjësia është e madhe”, pohon këngëtarja Irma Libohova, që sonte është e ftuara e festivalit. Sa i takon të ftuarve të huaj, Alexandër Rybak, norvegjezi fitues i Festivalit Europian në 2009-ën, do të jetë i ftuari i nderit në Festivalin e 53-të të këngës në RTSH. Mes emrave konkurrentë përmendim këngëtarët Saimir Braho, Altin Goci, Klajdi Musabelliu, Elhaida Dani, Gjergj Leka, Julian Gjodeshaj, Besa Krasniqi, Bojken Lako, etj.

















