Rrjeti ndërkombëtar televiziv ‘Al Jazeera’ Ballkan’s këto ditë ka qëndruar në Pejë për një realizim të pasqyrimit të vlerave tradicionale, kulturore e muzikore të Kosovës.
Një ekip profesionistësh të një mediumi me famë, janë pritur në këtë qytet me nikoqirllëk nga ‘Sofra Pejane’, për një xhirim muzikor e i cili do ti paraqes vlerat shqiptare e kosovare në këtë rrjet në ciklin që quhet ‘Ritmet e Ballkanit’.
Idro Seferi, producent e këtij cikli në ‘Al Jazeera’-Balkan’s, ka treguar se një prej elementeve të rëndësishme të prezantimit të traditës dhe kulturës shqiptare të Kosovës në këtë rrjet ballkanik, ka qenë ‘Sofra Pejane’.
‘Është një histori interesante që është bartur brez pas brezi dhe që me fanatizëm ka ruajtur vlerat jo vetëm muzikore por mbarë shqiptare’-është shprehur Seferi.
Në ‘Sofrën Pejane’ pjesëmarrësit janë ndjerë mirë, të respektuar e privilegjuar por edhe në nivel të përgjegjësisë, që paraqitja të jetë sa më gjithëpërfshirëse, meqë bëhet fjalë për prezantim të vlerave gjithëkombëtare në një rrjet çfarë është ai i ‘Al Jazeera’-Balkan’s.
Repertori me të cilin ‘Sofra Pejane’ ka prezantuar para këtij mediumi është përzgjedhur me këngë qytetare, epiko lirike dhe patriotike.
Projekti në transmetim të këtij rrjeti televiziv pritet të shfaqet nga muaji nëntor i këtij viti ndërsa në gjuhën angleze – seksioni ‘Al Jazeera’, pritet të transmetohet nga viti i ardhshëm.


















