Ishte më shumë se një ëndërr që mbase ishte e ngjizur qe në fëmijëri.
Një ëndërr që përsëritej herë pas here nëpër bisedat mes njerëzve të Nikaj-Merturit, aty ku marrin zanafillën shumë nga legjendat shqiptare, aty ku bukuria mbetet magjepsëse në çdo kohë në çdo stinë.
Mbase duhej një iniciativë dhe një garanci që po të gjithë së bashku mund ta bëjmë të mundur që në këtë zonë të dali rruga e makinës. Përllogaritjet çonin në shifra të mëdha dhe shpeshherë gjithçka rrokullisej drejt hamendjeve, nëse do të ishte e mundur që një ëndërr e tillë të bëhej realitet.
Shoqata e Nikaj Mërturit nën drejtimin e z.Mëhill Gecaj pas bisedave dhe konsultimeve të shumta gjeti një garantues; biznesmenin e suksesshëm, birin e kësaj zone z.Skënder Përpepaj, që garantoi se do të sponsorizonte përfundimin e rrugës.
Kjo duket se i çliroi të gjithë edhe kryetarin e bashkisë z.Besnik Dushaj, edhe të tjerët që mbase e shikonin me shumë mëdyshje një projekt të tillë.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ai e quante obligim për të bërë diçka për atë vend kaq të veçantë me bukuri përrallore. Ndonëse prej vitesh në Angli si një ndër shqiptarët e këtushëm më të suksesshëm, ishte momenti që të bënte diçka për ata njerëz, për vendlindjen. Ishte një shumë fillestare prej 10 milionësh që ju dha atyre për të filluar së bashku me mjetën që kishte në Shqipëri. Gjithsecili ndjehej i lehtësuar pasi e dinin se nëse nuk do të kishte kontribute të tjera, z.Përpepaj, nipi i
Kukel Ndout do të investonte përfundimin e rrugës.
Me dhjetëra herë gjatë verës bëri rrugën Londër- Nikaj-Mërtur – Curraj i Epërm, duke mbështetur të gjithë punëtorët, të gjithë patriotët e zonës dhe me shumë modesti por tepër krenar tregonte për kilometrat e mbetur.
Për një kohë të shkurtër, shoqata Nikaj-Mërtur arriti të mbledhë fonde nga bijtë e kësaj zone dhe të kthenin një ëndërr ne realitet, madje jo vetëm deri në Curraj të Epërm por vazhdim e saj deri ne Qeresh, një zonë akoma më e thellë.
Kur rruga vijonte tashmë iniciuesit morën një lajm të mirë. Në inaugurimin e saj, përveç deputetit të zonës, Kryetarit të Bashkisë do të merrte pjesë edhe presidenti i Republikës, z.Ilir Meta. Dukej si një gëzim i dyfishtë, që kjo ëndërr u realizua, që tashmë jo vetëm banorët e kësaj zone, të larguar në qytetet të tjera apo në emigracion do të mund të shijojnë bukuritë e saj.
Nikaj Mërturi mbetet padyshim një ndër zonat më të bukura të trojeve shqiptare.
Organizimi i festës për inaugurimin e kësaj rruge përmbledhte një kurorëzim të kësaj iniciative kaq fisnike. Ishte një festë që mblodhi së bashku të gjithë, ku pjesëmarrja kaloi çdo parashikim.
As që e kishin besuar që rreth 1000 veta do të ishin të pranishëm të ardhur edhe nga Kosova dhe Mali i Zi dhe ku ishin të gjithë, për të festuar këtë iniciativë aq fisnike jo vetëm për krahinën e Nikaj Mërtur, por për të gjithë qarkun, duke mundësuar një diapazon tjetër për turizmin shqiptar.
Festa vazhdoi deri vonë nën ritmin e valleve të bukura të Tropojës, të këngëve karakteristike të zonës dhe jo vetëm. Dhe u kry.
Skender Përpepaj bashkë me skuadrën e tij si dhe të gjithë ata që kontribuuan për kthimin në realitet të kësaj ëndrre, ndjeheshim më se të lumtur. Ata natyrshëm u kthyen në shembullin sesi mund të duhet që emigrantët të kontribuojnë për vendin e tyre, së paku për vendlindjen e tyre.
Tashmë zona e Nikaj Mërtur-Curraj i Epërm, nuk do të jetë thjesht një destinacion i sygjeruar, ku mund të shkohet vetëm në këmbë, por një realitet i prekshëm për gjithkënd që dëshiron të shijojë bukuritë përrallore të kësaj zone.
Kur gjithçka u duk se përfundoi, atyre u vjen një telefonatë paksa e çuditshme. Presidenti i Republikës do i priste në një takim.
Në njoftimin e presidentit thuhet se Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti një përfaqësi të “Shoqatës Nikaj-Mërtur” të drejtuar nga Dr.Mhill Gecaj dhe deputeti i Tropojës, z. Isuf Çela.
Presidenti Meta vlerësoi iniciativën e shkëlqyer të kësaj shoqate për hapjen e rrugës në Curraj të Epërm, bazuar në kontributin dhe donacionet e anëtarëve të kësaj shoqate.
Po kështu Presidenti vlerësoi frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit të komunitetit të kësaj zone me Bashkinë e Tropojës dhe deputetin Çela për realizimin me sukses të këtij projekti.
“Ju e nisët vetë rrugën e ndryshimit në Curraj të Epërm e Nikaj-Mërtur, – tha Presidenti Meta, “tani është koha që ta vazhdojmë së bashku, pasi resurset për zhvillimin e turizmit në atë zonë janë të jashtëzakonshme”.
Përfaqësuesit e Shoqatës Nikaj e Mërtur shprehën angazhimin e tyre që mirëmbajtja e restaurimi i shpejtë i banesave të tyre nuk do të cenojë as traditën vendase dhe as peizazhin e mrekullueshëm natyror.
Të pranishëm në takim ishin Mhill Gecaj – kryetari i Shoqatës së Nikaj-Mërturit, Skënder Perpepa, Lekë Vatnikaj, Mhill Prebibaj, Agron Qokaj, Gjergj Prebibaj, Agron Prebibaj.
Një takim mikpritës, me bashkëbisedim të hapur, duke sjellë përvojë e ngrit problematika, ishte ai me Këshilltarin për Rajonin të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Flamur Gashi, i cili ishte dhe vet në Curraj të Epër në përurimin e Rrugës së re alpine, në veprimtaritë e të dielës së 14 tetorit 2018 në qendër të fshatit, në kishën katolike, në këtë vend të Eposit të Kreshnikëve, të Historisë Shqiptare, në këtë Mrekulli të Alpeve.
Në këtë Pritje në Presidencë, sikurse dhe në Curraj të Epër, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta vlerësoi lart kontributin e banorëve të këtij fshati e krejt krahinës së Nikaj-Mërturit e Diasporës së tyre, të Malësisë së Gjakovës, etj. fuqinë e tyre nikaj-mërturase për hapjen e kësaj rruge alpine, që i shërben zhvillimit ekonomik, kulturor e turistik të fshatit të bukur të Currajve të Epër, që i rikthen banorët e këqtëij fshati të braktisur në vendlindjen e vet.
President i Shqiëprisë, SHT Z. Ilir Meta duke folur për mikpritjen tropojane e Nikaj-Mërturase, për solidaritetin e madh e të rrallë me kontribute financiare, për aksionin e bashkëvendasve për hapjen e kësaj rruge të re mes Alpeve në një kohë të shkurtër, theksoi se kjo vepër, kjo përvojë:
“Është një mesazh i fortë atdhedashurie, por njëkohësisht edhe rimëkëmbjeje”, se “Ju jeni shembulli i parë dhe më i mirë shqiptar…”.
Skënder Përpepaj tepër modest u shpreh se “Ndjehem i lumtur që kam kontribuar sadopak që kjo ëndërr e kahershme të kthehet në realitet. E kam konsideruar si obligim dhe jam shumë i lumtur që ka përfunduar me sukses. Faleminderit të gjithë atyre që u bënë pjese e kësaj iniciative, të gjithë atyre që kontribuuan dhe sot gjithkush mund të shijojë bukuritë magjepsëse të Nikaj-Mërturit”
Ky është një model që padyshim duhet të ndiqet.























