Skema e re e sigurimeve shoqërore, e cila hyn në fuqi në datën 1 janar 2015, parashikon marrjen e një pensioni edhe për ata persona, të cilët nuk plotësojnë kushtet për të marrë pension të plotë apo të reduktuar pleqërie. Bëhet fjalë për ata persona, të cilët nuk kanë qenë kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore ose për ata që kanë më pak se 15 vite pune të siguruara.
Ndërkaq, ndryshimet që ka pësuar ligji “Për sigurimet shoqërore” përcaktojnë edhe kushtet që duhet të plotësojnë “të penalizuarit”, në mënyrë që të jenë përfitues të këtij pensioni. Kështu, sipas ligjit, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç dhe është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit.
Gjithashtu, për të qenë përfitues këta persona nuk duhet të plotësojnë kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore (pension të plotë pleqërie, pension të reduktuar pleqërie, pension invaliditeti), si dhe nuk duhet të kenë asnjë lloj të ardhure, që përfitohet nga çdo burim tjetër financiar. Gjithashtu, përfitues mund të jenë edhe ata persona që kanë disa të ardhura, por që janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.
















