Zv ministrja Statovci dekalroi se të ditur se mbi 27 mijë nxënës fillojnë klasën e parë në këtë vit dhe se 400 mijë nxënës hapin përsëri ditarët e tyre për 1 shtator.
“Fillimi i vitit të ri shkollor po afrohet, një ngjarje shumë e veçantë për të gjithë ne”, ka deklaruar Statovci.
“Posaçërisht janë të entuziazmuar ata që fillojnë rrugëtimin e tyre të rëndësishëm jetësor, në klasën e parë. Për këta mbi 27,000 fillestarë, por edhe për më se 400,000 nxënësit tanë që hapin përsëri ditarin e tyre me 1 shtator, ne kemi bërë përgatitjet që çdo gjë të fillojë për së mbari”, ka thënë Statovci.
Sipas saj, kujdesi i merituar u është dhënë natyrisht edhe mësimdhënësve dhe personelit administrativ.
“Për këtë patëm takim sot me stafin e MASHT, përgjegjës për sektorë të ndryshëm të jetës sonë arsimore”.
Ajo më tej deklaroi se krejt detyrat që i takojnë MASHT-it, janë në përfundim, raporton lajmi.net.
“Krejt ajo që ka qenë në mundësitë e dhëna, e kemi bërë. E kemi përgjegjësi, por edhe një privilegj e satisfaksion të veçantë, që kësaj armate gati gjysmë milionëshe të shpresës së këtij vend, t’ia mundësojmë edhe një vit të mbarë shkollor”, është shprehur Statovci.
“Jemi gati”, tha zv ministrja e Arsimit, Anila Statovci.
Por nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje qeverisë, mos ta injorojë dialogun me këtë sindikatë sa i përket realizimit të kërkesave të mësimdhënësve, se përndryshe, më 1 shtator do të ketë grevë të përgjithshëm.
Ai ka thënë se komunat nuk kanë bërë planifikime buxhetore për 70 për qind ë vlerës së biletave për mësimdhënësit udhëtarë dhe nuk kanë plotësuar as obligimin për tri paga me rastin e pensionimit të punëtorëve të arsimit.





















