Refugjatët sirianë të vendosur në Konicë nuk duan që të qëndrojnë në kampet e ngritura të Greqisë. Ata do të presin disa ditë, por e kanë të qartë në mendjet e tyre se nëse situata nuk ndryshon, atëherë do t’i drejtohen Shqipërisë. Qëllimi është që ta përdorin territorin shqiptar për të kaluar transit, që të mund të shkojnë në Itali, e më pas drejt Gjermanisë. Aktualisht në Konicë, që është vetëm 20 minuta larg territorit shqiptar, prej disa ditësh po qëndrojnë 162 refugjatë. Ata janë ambientuar me vendin, ndërsa banorët vendas u janë gjendur afër. Përfaqësuesi i Prefekturës së Janinës, Prodromos Hatziefremidis, tha se emigrantët nuk e mendojnë qëndrimin në Konicë. “Ata janë shumë mirë këtu, madje shumë më mirë se refugjatët e tjerë që janë në Idomeni. Njerëzit këtu i ndihmojnë dhe u janë afër, por duhet një zgjidhje pas 15 ditësh, pasi ata duan të ikin në Europë. Nuk duan të rrinë këtu”, u shpreh ai. Emigrantëve u është komunikuar se qeveria helene ka nisur bisedimet me Shqipërinë dhe Italinë për mundësinë e zhvendosjes së tyre. Fakti i afërsisë gjeografike me territorin shqiptar duket se u jep një shpresë atyre, se mund të gjejnë një shteg të ri kalimi. “Po e dimë që jemi shumë afër kufirit me Shqipërinë dhe shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë të kalojmë kufirin. Nëse nuk hapen kufijtë e Maqedonisë, sirianët do të kalojnë nga kufiri shqiptar”, u shpreh një sirian për “Top Channel”. Një tjetër shtoi se ata e dinë ku ndodhet kufiri me Shqipërinë, por po qëndrojnë në Konicë vetëm për të respektuar Greqinë. “Qeveria greke na ka thënë se do të qëndrojmë këtu 15 ditë e më pas do shohim se çfarë do ndodhë. Por nëse nuk do të ketë një vendim për ne, atëherë ne do të shkojmë vetë në kufirin me Shqipërinë dhe ne shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë, në mënyrë që të mos ketë më vuajtje si në kufirin maqedonas”, tha ai. Ndërkohë, Greqia është mjaft e zhgënjyer me qëndrimin e Shqipërisë për të mos lejuar kalimin e emigrantëve. Ministri grek plotësues i Mbrojtjes, Dimitris Vitsas, në një intervistë për “Financial Times” tha se ishte i zhgënjyer nga disa vende europiane, që nuk kanë pranuar të strehojnë përkohësisht qoftë edhe një numër të vogël prej tyre. Edhe pse nuk përmendi emrin, fjalët e tij nënkuptuan Shqipërinë, që e konsideroi si vend ksenofob. “Disa vende kanë qeveri, që duket se udhëhiqen nga ksenofobia. Midis tyre janë edhe shumë nga ato shtete, që kanë dërguar dhjetëra mijë emigrantë ‘ekonomikë’ në Greqi 25 vite më parë. Por tani, të njëjtat vende, nuk duan të pranojnë refugjatët sirianë që vijnë nga Greqia. Sipas mendimit tim personal, ky është një turp”, tha ai. Funksionari grek ka deklaruar gjithashtu se, shumica e refugjatëve do të presin muaj e deri në dy vjet, për t’u vendosur në vendet e tjera të BE-së, veçanërisht nëse realizohen parashikimet se Greqia do të pranojë rreth 100 mijë vetë. Aktualisht autoritetet helene po punojnë që të evakuojnë kampin në Idomeni, në kufirin me Maqedoninë, ku po qëndrojnë rreth 13 mijë persona, në kushte shumë të vështira, pa ushqime, ujë dhe të rrezikuar nga sëmundjet infektive. Bllokimi në kufirin maqedonas ka shtyrë disa qindra emigrantë të vendosin që të gjejnë rrugë alternative për t’u futur në Maqedoni. Disa qindra prej tyre në orët e para të mëngjesit të djeshëm tentuan të kalonin në Lumin e Thatë në vijën kufitare mes dy shteteve. Si pasojë, tre prej tyre kanë gjetur vdekjen dhe disa të tjerë u plagosën. Autoritetet maqedonase, ndërhynë menjëherë duke u dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe duke ndaluar pjesën tjetër të emigrantëve që të bëjnë përpara. Të gjithë ata persona që kanë hyrë në Maqedoni, do të rikthehen prapë në Greqi.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















