Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka vendosur që të bëjë një padi në emër të të gjithë mësimdhënësve që nuk kanë marrë tri pagat me rastin e pensionimit dhe nuk po i marrin, shkruan sot, gazeta Zeri.
Sipas kësaj sindikate janë vetëm disa veta që përmes gjykatës kanë realizuar të drejtën e tyre për t’iu takuar tri pagat me rastin e pensionimit. Kryesia e kësaj sindikate konfirmon se këta mësimdhënës kanë shpenzuar për avokatë, kurse tash SBASHK-u është në përgatitje të një padie për të gjitha komunat që e kanë obligim t’iu japin këto paga mësimdhënësve që po pensionohen dhe nuk po e bëjnë këtë. Padia do të jetë kolektive, që sipas udhëheqësve të SBASHK-ut iu kursen kohë dhe mund mësimdhënësve.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj, ka thënë se përveç disa rasteve që kanë kërkuar nga organet e drejtësisë realizimin e së drejtës së tyre, mësimdhënësit tjerë nuk kanë marrë këto paga ende. Ai thotë se komunat nuk i janë përgjigjur kërkesës së SBASHK-ut. Jasharaj ka theksuar se tri pagat mësimdhënësve duhet t’iu kompensohen sipas ligjit nga niveli lokal dhe jo ai qendror.






















