Sindikatat e Bashkuara të Arsimit Shkencës dhe të Kulturës, kanë akuzuar sot “pushtetarët nivelit lokal dhe të atij qendror”, se “kanë nisur me vlerësimet se janë bërë gjitha përgatitjet për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe se nuk po tregojnë se në kuadër të këtyre angazhimeve a janë përgatitur për të plotësuar edhe kërkesat e mësimdhënësve të artikuluara përmes SBASHK-ut”.
Sindikalistët, në një kumtesë për medie, të premten, kanë kërcënuar se pushteti do të përballet me greva të mëdha nëse nuk i plotëson kërkesat e mësimdhënësve.
“I kujtojmë qeveritë lokale se shumica dërmuese e tyre , edhe pas takimeve e kërkesave të përsëritura të SBASHK-ut tani e dy vite nuk kanë përmbushur obligimet nga Kontrata Kolektive, sepse as nuk kanë siguruar 70 % të çmimit të biletës për mësimdhënësit udhëtarë e as nuk kanë realizuar kërkesën për 3 paga me rastin e pensionimit të të punësuarve në arsim. Mjaftojnë këto dy çështje të pa zgjidhura dhe të kemi greva në arsim”, kanë thënë sindikalistët në një kumtesë për medie.
Ata i kanë kujtuar Qeverisë së Kosovës se “edhe pas takimeve me përfaqësues të saj , po hetohet se ka hezitim për të debatuar shtruar e për të nisur Projektligjin mbi statutin e mësimdhënësve shqiptarë të viteve 89-99 drejt Parlamentit për ta aprovuar”. Ky Projektligj, sipas tyre, po pret me vite në Qeveri dhe nuk ka as edhe një sinjal se se shpejti do të niset drejt Parlamentit.
“Edhe kjo është një arsye e mjaftueshme që SBASHK-u të përgatit për të nisur me veprime sindikale, pra me greva”.
SBASHK-u është i prerë për dialog dhe është në pritje që në ditët që kanë mbetur pa nisur viti i ri shkollor pushtetarët e nivelit lokal dhe atij qendror të nisin dialogun për këto dhe çështje të tjera. Nëse jo, atëherë në shtator do të përballen me veprime sindikale të SBASHK-ut duke mos përjashtuar grevat në nivelin lokal dhe atë qendror, që nuk do të ndërpriten pa u plotësuar këto kërkesa, përfundon reagimi SBASHK-ut.





















