Esmeralda Sadikaj
Nga të dy palët, ndeshja Serbi – Shqipëri shihej me një sy tjetër nga ndeshjet e zakonshme. Historia ndër shekuj, dhe sidomos Lufta e Kosovës e vitit 1999 janë fakte të pamohueshme të marrëdhënieve mes dy kombeve. Masat paraprake që u ndërmorrën në Serbi, duke mos lejuar tifozët shqiptarë në stadiumin ‘Partizani’ të Beogradit, ishin shenja të shmangies së të papriturave të pakëndshme gjatë ndeshjes. Nuk e dimë nëse prania e tifozëve shqiptar do ta kishte përmirësuar apo përkeqësuar situatën në Beograd. Të dy vendet jemi vende ballkanase, që karakterizohen nga gjaknxehtësia dhe kundërveprim ndaj tjetrit.
Po të analizojmë ndeshjen, ose më saktë pjesën e parë të saj, vëmë re se nuk ishin shqiptarët provokatorët fillestar. Secili prej nesh që ishte para një mediaje televizori apo kompjuteri, mezi po dëgjonte ekipin tonë të kombëtares teksa po këndonte ‘Himnin shqiptar’. Vetëm nëpërmjet lëvizjeve të buzëve arrinim të kuptonim me vështirësi se po këndohej himni. Kjo erdhi si pasojë e fërshëllimave ‘të pavend’ të tifozëve serb dhe shpërthimeve të kapsolleve në fushë. Pavarësisht kësaj, ndeshja filloi. Ekipi i kombëtares nuk u demoralizua, nga mosrespektimi i ‘Himnit Kombëtar’ nga tifozët vendas.
Edhe pse gjatë himnit dhe lojës, pati thirrje armiqësore ‘Vritini shqiptarët!’ apo parrullave të vendosura si ‘Kosova është Serbi’ loja vijoi. Nuk mund të mohohet fakti, se loja u mbizotërua nga lojëtarët e kombëtares sonë, të cilët patën disa raste për të shënuar në portën serbe. Dhe disa minuta para përfundimit të pjesës së parë, shfaqet diçka e çuditshme në qiellin serb, përbri stadiumit ‘Partizani’. Duke u valëvitur, kuptojmë se ishte një dren, ku mbi të ishte vendosur flamuri i Shqipërisë etnike, dhe dy figurat e shquara Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Por më shqetësuese nga të gjitha, për popullin serb ishte mbishkrimi ‘Autochtonous’, që në shqip do të përkthehej autoktonë ose vendas. Në fushë pati tension, përpjekje nga lojtarët serb për të grisur flamurin, ndërsa nga lojëtarët shqiptarë përpjekje për ta mbrojtur atë. Pyetja që lind natyrshëm është: ‘ A do të anullohej loja, nëse nuk do të shfaqej dreni me flamurin e Shqipërisë Etnike? Nëse për këtë ndeshje ishin vendosur kushte kaq të rënda si mungesa e tifozëve shqiptarë dhe mungesa e simboleve kombëtare si flamuri, pse nuk u debatuan këto kushte, por u zhvillua ndeshja? Nëse u pranuan këto kushte, pse duhej të shkeleshin atëherë? Këtu ngatërrohet e drejta me të padrejtën, e vërteta me të pavërtetën? Duheshin respektuar kushtet e vendosura nga Serbia? Duheshin negociuar kushtet e vendosura nga Serbia? Apo duheshin shkelur kushtet?
Ndoshta, nëse nuk do ishte valëvitur flamuri, ndeshja edhe pse mjaft e tensionuar, do të kishte vijuar dhe mund të ishte finalizuar me fitore. Nuk mund të mohohet, edhe në rrethanat se si u zhvillua, ne përsëri dolëm fitimtarë. Valëvitëm flamurin e Shqipërisë Etnike, atje ku ndodhen armiqtë e përbetuar të shqiptarëve, që ende e konsiderojnë Kosovën si pjesë të tyren. Flamuri mbi Beograd, ishte sinjali se Shqipërinë dhe shqipëtarët askush nuk mund t’i nëpërkëmbë.
















