Në njoftimet e vlerësimit tatimor nga bashkia e Tiranës për tarifën e zënies së hapësirës publike, që u ka shkuar bizneseve, kryesisht bar-restoranteve dhe njësive të tregtimit të fruta perimeve ka një mungesë totale transparence.
Në njoftimin drejtuar një biznesi bar kafe, (shiko dokumentin më poshtë) jepet vetëm shuma prej 75 mijë lekësh që duhet të paguajë subjekti si detyrim total për tarifën e zënies së hapësirës publike për muajin janar 2016. Në të nuk sqarohet aspak mënyra se si është llogaritur ky detyrim, as sipërfaqja që tatohet dhe tatimi për sipërfaqe, një sqarim që do të ishte i domosdoshëm për një institucion shtetëror që menaxon taksat e publikut.
Përveç faktit që askush nuk i informoi për taksat e reja, biznesi gjendet përballë faktit që duhet të paguajë 75 mijë lekë brenda datës 28 shkurt. “Këto janë tarifa të çmendura, duhet të paguaj 150 mijë lekë për dy muaj”, thotë pronari i bar kafesë me një sipërfaqe prej 50 metrash në një lagje pranë stacionit të trenit. Ai pohon se me të ardhurat dhe shpenzimet që ka, me zor arrin të nxjerrë një rrogë për vete dhe fitimi mujor është shumë më i ulët se tarifa e zënies së hapësirës. “Kjo është një shifër shumë e çmendur që nuk e përballoj dot”, thotë ai, duke shtuar që nuk ka rrugë tjeër veçse të mbyllë lokalin, me të cilin mbante gjithë familjen.
Nga janari i këtij viti, Bashkia ka 10 fishuar taksën e zënies së hapësirës nga 150 lekë për metër katror në 1500 lekë për metër katror.
Kjo është vetëm njëra nga tarifat që duhet të paguajë ky biznes, pasi në vlerësimin tatimor subjekti njoftohet se rezulton me detyrime dhe për tarifën e pastrimit e largimit të mbeturinave për çdo tavolinë jashtë njësisë së tregtimit për muajin janar. Kjo është një tarifë e re, prej 2500 lekë për tavolinë në muaj.
Një dyqani ushqimor në një lagje të futur në Komunën e Parisit, që tregtojnë dhe fruta perime në një sipërfaqe jashtë, sapo u ka shkuar fatura për të paguar 13 mijë lekë në muaj taksë për zënie hapësire. Dyqani menaxhohet nga një çift në moshë të mesme, të cilët pohojnë se kjo fature u ra si bombë. “Na u hoq taksa e biznesit të vogël prej 25 mijë lekësh dhe na u shtua një faturë vjetore prej 156 mijë lekësh”, thotë zotëria. Kur pyeten, ata nuk e dinë që duhet të paguajnë dhe një taksë për arsimin prej 4000 lekësh në vit, apo sa do të jetë tarifa e pastrimit. “Pse duhet të paguaj tarifë për arsimin, kur fëmijët i kam shkolluar me kohë”, pyet i habitur ai. Teksa ata me zor nxjerrin muajin në lagjen ku konkurrenca është shtuar dukshëm nga rrjetet e mëdha të supermarketeve, janë në dilemë nëse do të vazhdojnë ta mbajnë hapur dyqanin apo jo.
Bashkia e Tiranës i ka shumëfishuar taksat dhe tarifat ndaj biznesit, kryesisht për tabelat dhe zënien e hapësirave publike, me një vendim të këshillit Bashkiak të datës 30 dhjetor, që u bë publik vetëm në fillim të shkurtit, kur bizneseve filluan tu vinin njoftimet e kripura të vlerësimit tatimor për zënien e hapësirave publike, ndërsa taksat e tjera ende nuk kanë dalë në sistem.
















