Shqipëria edhe njëherë ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, e sigurisht jo për mirë.Gazetarja franceze Vanina Kanban, ka bërë një reportazh për televizionin Canal +, ku ka zbuluar mënyrën se si trafikohen kallashnikovët nga Shqipëria për në Francë.
“Rruga e Kallashnikovëve” ishte emri i reportazhit të transmetuar në televizionin francez. Kanban ka nisur investigimin që në prill të vitit 2014, ndërsa ka ardhur dhe në shqipëri ku është takuar me trafikantët që shesin armë dhe personat që i transportojnë ato në vendet e BE-¬së.
Gazetarja franceze ndjek një pjesë të rrugës që përshkruajnë kallashnikovët nga Shqipëria, ku në një rast asaj i kërkohet të zbresë nga makina për të shmangur arrestimin.
Dokumentari tregon dhe vendet ku i fshehin armët trafikantët gjatë transportimit me makinë.
Kanban interviston një person që mbledh armë, ku ai tregon se fiton deri në 25 mijë euro në vit me shitjen e tyre jashtë. Ai thotë se është i frikësuar që e bën këtë punë, po nuk ka shumë mundësi të tjera jetese.
Në dy sulmet terroriste në Francë, atë në revistën satirike Charlie Hebdo si dhe në sulmet e Parisit, atentatorët kanë përdorur armën kallashnikov, por nga hetimet nuk ka rezultuar se ato janë armë shqiptare.
Në sulmet e fundit të Paris, prokurorët kanë thënë se arma kallashnikov e terroristëve ishte prodhuar në Serbi .
















