Arrestohet në Tiranë gjyqtari i Sarandës Rasim Doda, i akuzuar për korrupsion pasiv. Zbardhen detajet, kërkoi 80 mijë euro për një konflikt civil për ndërtimin e një pallati. Si ndryshoi vendimin brenda një nate dhe hetimi i prokurorisë që zbuloi skandalin. Arrestimi i Dodës edhe për imazh?
Brenda një nate ndërroi mendje. Ishin dy palë në proces, njërit do i jepte të drejtë, por ndryshoi mendim dhe vendim, vetëm sepse nuk i dhanë shumën e parave që u kishte caktuar. Tashmë gjyqtari i skajit më jugor të vendit është arrestuar për akuzën e “korrupsionit pasiv”.
Policia prangosi ditën e djeshme Rasim Dodën, me detyrë gjyqtar në Sarandë, pasi akuzohet se duke përdorur funksionin e lartë në sistemin e drejtësisë, është përfshirë në aferën e korrupsionit pasiv. Vetëm disa orë pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e tij, policia e kryeqytetit ekzekutoi vendimin.
Megjithëse kishte debate dhe diskutime, anëtarët e KLD-së i hapën rrugë arrestimit të gjyqtarit, i cili akuzohet për korrupsion pasiv. Në këtë mënyrë, një tjetër gjyqtar është bërë “shembull” se prangat po trokasin edhe në drejtësi.
Mirëpo, nëse futemi në historikun e sistemit të gjyqësorit, kjo çështje është krejt periferike, pasi deri më tani janë arrestuar vetëm tre gjyqtarë për korrupsion pasiv. Të vetmit që kanë pasur telash me drejtësinë janë Shtjefën Lleshi, ish-kryetar i Gjykatës së Pukës, Dhimitër Pojanaku, gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit dhe Rasim Doda, që dje provoi ftohtësinë e prangave, ndërsa sipas sondazheve dhe perceptimeve, kolegët e tyre në gjykatat e kryeqytetit apo të qyteteve të mëdha ngrohin xhepat në shuma të majme.
Gjithsesi, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për Dodën ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar se ka ndikuar në mënyrë të qëllimtë për të ndryshuar një vendim gjyqësori, pasi nuk mori ryshfet për çështjen që po gjykonte.
“Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, i cili është regjistruar në datë 21.04. 2015, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Rasim Doda, në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte ai, dhe në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale, dyshohet se i ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash. Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij”.
Kështu thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në fakt, nga dëshmia e marrë dhe hetimet rezulton se pala e interesuar ka kuptuar shumën përsa bëhej fjalë dhe është shprehur se nuk ishin në gjendje që të paguanin atë vlerë të lartë.
Nga burime konfidenciale mësohet se për këtë çështje ishin kërkuar 80 mijë euro, por gjyqtari ua kishte bërë me shenjë se bëhej fjalë për këtë shumë dhe nuk kanë asnjë provë që ai ta ketë shqiptuar këtë shumë. Ndërsa për t’i siguruar se nëse paguhej kjo vlerë gjithçka ishte në favor të tyre, njërit prej personave që ishte palë në proces i kishte treguar dispozitivin e vendimit. Aty në moment i janë shprehur se e kishin të pamundur pagesën e kësaj shume.
Nga dëshmitë mësohet se gjyqtari nuk ka reaguar, por është larguar qetësisht, pa bërë asnjë koment. “Të nesërmen, ditën e vendimit, më datë 20.05.2015, gjyqtari Rasim Doda ka shpallur vendimin, duke i dhënë të drejtë palës tjetër, pra jo personit të kontaktuar një ditë më parë”, – shprehen burime të prokurorisë.
Pala e ndërtuesve ka mbetur e shtangur, pasi e kuptoi se e humbën gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë pikërisht se nuk ishin në gjendje që të paguanin ryshfetin që u kishte kërkuar gjyqtari. Me vendimin në disfavor, ata vendosën t’i drejtohen prokurorisë, duke pretenduar se kishin parë me sytë e tyre vendimin në favor dhe vetëm një ditë më pas u ndryshua pasi nuk paguan ryshfetin. Rasti u mor në konsideratë dhe nisën hetimet menjëherë. Ndërsa mësohet se në ditët e fundit mbërriti edhe akt-ekspertiza që fundosi përfundimisht gjyqtarin Doda.
“Për të provuar pretendimet e kallëzuesit, pra personi që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda. Sipas aktit të ekspertimit teknik-kompjuterik është konkluduar se: Në njësinë kompjuterike të sekuestruar gjyqtarit Rasim Doda, nga të dhënat e fshira u rikuperua një dokument i tipit Microsoft Word, ku pjesa e fundit e tij është identike me dokumentin objekt ekspertimi (fleta format A4 me përmbajtje dispozitivin në favor të kallëzuesit)”.
Kështu thuhet në njoftimin e prokurorisë në lidhje me këtë rast. Nga provat e marra, dëshmia dhe materiale të tjera shtesë të siguruara nga hetimet, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën e “korrupsionit pasiv” të kryer nga gjyqtari, duke lëshuar edhe urdhër-arrestin. Tashmë ai është dërguar në dhomat e paraburgimit për akuzën e “korrupsionit pasiv”.
Nuk “dinë” si të marrin ryshfet…
Një mjeshtri më vete është edhe kamuflimi dhe mënyra sesi i kërkojnë paratë për çështje të ndryshme. Në rastet e tre gjyqtarëve të arrestuar deri më tani duket se kanë dështuar për formën disi të hapur që kanë gjetur.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ish-gjyqtari i Pukës, Shtjefën Lleshi dyshohet se përdorte sekretaren e tij dhe kancelaren e gjykatës për të marrë shuma të ndryshme për çështje të ndryshme penale apo civile. Pikërisht një investigim i gjatë i emisionit “Fiks Fare” bëri që sekretarja e Leshit të filmohej duke numëruar paratë e marrë si ryshfet në paradhomën e gjyqtarit.
Kaq mjaftoi që ai të arrestohej bashkë me sekretaren e tij dhe kancelaren. Ndërsa më ndryshe ishte çështja e gjyqtarit të Pogradecit, Dhimitër Pojanaku. Ai u akuzua nga një qytetare, e cila kishte edhe pamje filmike se kishte marrë 300 euro për t’i mbyllur një denoncim që kishte mbërritur ndaj saj.
Kjo shumë e “vogël” u bë barcaletë edhe ndër kolegët e tij, pasi ishte një shumë e papërfillshme, sepse gjyqtarët “nuk korruptohen” me kaq pak… gjithashtu edhe Rasim Doda kishte gjetur personat e gabuar për t’u kërkuar shuma të mëdha, pasi ndonëse kishin marrë leje për ndërtimin e një pallati, personat nuk qenë në gjendje të jepnin shumën prej rreth 80 mijë eurosh. Kjo bëri që gjyqtari në “inat” e sipër të fshinte vendimin në favor të tyre dhe t’ia kalonte palës tjetër, që ishin një pjesë e pronarëve të truallit ku do ndërtohej pallati. Ndonëse shtohet numri i gjyqtarëve të arrestuar apo proceduar në shkarkim apo ulje në detyrë, përsëri është shumë pak për përmirësimin e imazhit.
Raportet për drejtësinë e rendisin gjithnjë e më shumë ndër më të korruptuarat në vend. Besimi i qytetarëve është në nivele mjaft të ulëta dhe për çështje të korrupsionit në gjyqësor mund të numërohen mijëra takime, diskutime apo seminare.
Ndonëse ka pavarësinë e tij, sërish problemet e gjyqësorit lidhen direkt edhe me politikën. Sepse reforma në drejtësi kërkon bashkimin e votave për ndryshime kushtetuese, pikërisht kjo mbetet mjaft larg, sepse politika është vetofruar për të pasur një gjyqësor sa më të kontrolluar prej saj.
















