Gjatë 33 vjetëve të plota pune, 26 sosh ia kushtoi arsimit shqiptar, që punoi në 20 shkolla, prej tyre 11 sosh i hapi vet për herë të parë. – Themeloi Bibliotekën e parë shkollore, Koleksionin e parë arkeologjik dhe zbatoi Ekskursionin e parë mësimor. Veprat: “Agimi i gjytetnis”, “Besë e dashtni” e “Mnera e Prezës” e vënë Gjeçovin në radhët e para të hartuesve të teksteve mësimore
Françeskanët shqiptarë vepronin sipas traditës së hershme të tyre: “Aty ku punon, hape një kishë, një shkollë dhe një bibliotekë”. Mbi këtë parim veproi edhe Atë Shtjefën Gjeçovi. Ai i mësonte shqiptarët e të dy besimeve, sepse ishte i brumosur me idealet e Rilindjes Kombëtare. Gjeçovi, kishte personalitet të formuar, kulturë të gjerë e interesim për shumë fusha të jetës. Kudo që ka shërbyer, ai ka lënë edhe vulën e shkollës. Në fakt, “Jetën e vet si mësues e shkriu për të ngjallur ndenjën kombëtare të bashkatdhetarëve të vet, për të ngritur popullin në këmbë për liri e pavarësi”. Kudo që ka hapur shkolla shqipe, apo që ka punuar në to (shkolla), ai ka lënë gjurmë nderi e krenarie. Ai aspironte që ta shihte popullin e vet më të “gjytetnuem”, siç shprehej vetë ai. Ai edukon dhe ligjëron me gjuhën e popullit, edhe kur flet për arkeologji apo për shtetin, për qeverisjen e mirë apo për plagët e kohës. Edhe kur shkruan vepra letrare, si drama, poezi, apo novela (“Shqyptari ngadhnjyes”, “Tomorr e Pashtrik, përpiquni”, “Mnera e Prezës”, etj), apo kur merret me publicistikë (“Shtyllat e kombit”), ai do ta theksojë gjithnjë thelbin “gjytetnues” të edukimit e të arsimit.
Ashtu siç thotë filozofia Hana Arendt: ”Baza logjike e politikës është liria”, do të thoshim se edhe te Atë Shtjefën Gjeçovi do të kishim reflektime dhe angazhime të tilla në lëmin e arsimit e të edukimit, sepse sipas parimit françeskan do ta kishte po atë bazë logjikë angazhimi për një arsim qytetar, përkatësisht për një shoqëri qytetare. Nëse lagja e përkushtuar e idealistëve françeskanë, nisej nga parimi se Ideali është udhërrëfyes i jetës, i shtetit, i rendit shoqëror, i familjes, etj., atëherë nuk është e habitshme pse modelin e përsosmërisë së Jezusit ata përpiqeshin ta praktikonin në jetën e përditshme, si ideal të Lirisë, të Demokracisë, të Drejtësisë, të Barazisë e të Qytetërimit, vlera këto që do të arriheshin vetëm me anë të arsimimit e të edukimit të masave të gjëra popullore. Nëse pikënisje e këtij idealizmi ishte vetësakrifikimi për hir të realizimit të synimeve të larta morale, atdhetare e religjioze, atëherë edhe françeskanët shqiptarë, e ndër ta edhe Gjeçovi i madh, u angazhuan me përkushtim në shumë fusha të kulturës, të jetës sociale e politike, të jetës arsimore etj, kurse si Gjeçovi që e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të këtyre synimeve madhore, do të përfundojnë jetën edhe shumë françeskanë të tjerë shqiptarë.
“Shtylla e mësonjëtoreve të Shqipërisë duhet të jetë gjuha shqipe…”
Padyshim se Atë Shtjefën Gjeçovi konsiderohet si shëmbëlltyra më e shkëlqyer për t’i ruajtur, rigjallëruar dhe për t’i bërë të pavdekshme visaret popullore që kanë vlera të jashtëzakonshme kombëtare. Gjeçovi ishte në radhë të parë prift i ritit françeskan, ishte studiues, mësues, arkeolog, mbledhës i palodhshëm i folklorit, krijues letrar (poet, prozator e dramaturg), përkthyes, etnograf, publicist, speleolog dhe themelues i sociologjisë familjare, gjë që sipas këtyre aftësive Gjeçovi konsiderohet ndër figurat më të njohura të arsimit, të kulturës dhe atdhetarizmit shqiptar. “…Gjeçovi u dallua kryesisht për veprimtarinë e tij në fushën e arsimit, të letërsisë artistike dhe të shkencave albanologjike. Si të gjithë rilindësit tanë, edhe ai nuk e ndante çështjen kombëtare nga ajo e arsimit. Në çdo moment ai ishte një patriot dhe mësues i popullit. Gazeta “Dielli” e Bostonit (SHBA) shkruante “Shtëpia e Gjeçovit qe njëkohësisht shkollë e vend këshillash të mira për popullin”. Në librin e tij “Agimi i gjytetnisë” (1910) ai shkruante “Shtylla e mësonjëtoreve të Shqipërisë duhet të jetë gjuha shqipe, pse sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë” (Rrok Zojzi “Shtjefën Konstantin Gjeçovi”, “Gjeçovi, vepra 4”, Rilindja, Prishtinë, 1985, faqe 127).
Gjeçovi hapi 11 shkolla
Gjeçovi e filloi punën e arsimtarit që në vitin 1896 në Troshan, kur edhe u shugurua, dhe e vazhdoi në Zllakuqan (të Klinës), në vjeshtën e vitit 1897. Kështu, veproi edhe në vende të tjera kudo që jetoi e punoi. Gjatë 33 vjeteve të plota pune (u transferua 24 herë nga vendi në vend), sa punoi, 26 sosh ia kushtoi arsimit shqiptar, që i kaloi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 shkolla, prej tyre 11 sosh i hapi vet për herë të parë. Gjatë përvojës së tij pedagogjike, Gjeçovi u dha mësim fëmijëve e të rinjve, por edhe të rriturve. Bile, u mësoi shkrim-lexim edhe më të moshuarve se që ishte ai vetë. Gjeçovi gjatë jetës së vet punoi si mësues legal e ilegal, si mësues i emëruar dhe si mësues vullnetar. Ai dha mësim në shkolla të rregullta e të improvizuara, përkatësisht të hapura nëpër shtëpi të fshatarëve apo në lokalet e qelës, ku banonte ai vet, shkolla këto që u mungonte çdo gjë përveç vullnetit të mësuesit e dashurisë së nxënësve për të nxënë dituri të reja. Për veprimtari arsimore që e zhvillonte pa lejen e qeverisë Gjeçovit iu tërhoq vërejtja. Drejtoria e Arsimit në Shkodër, më 1916, ia dërgoi një shkresë Gjeçovit se “Nuk do të shpërblehej për punën e bërë nëpër shkolla” e ai u përgjegj se “Nuk shërbej për para e shpërblim, por për ta vleft popullin”.
Themeloi bibliotekën, koleksionin, ekskurzionin…
Gjatë kohës sa e kreu edhe detyrën e mësuesit të gjuhë dhe kulturës shqiptare, ai themeloi Bibliotekën e Parë shkollore në Shkodër. Po ashtu, gjatë viteve të mësuesisë Gjeçovi themeloi Koleksionin e Parë Arkeologjik në trojet shqiptare, përkatësisht e zbatoi Ekskursionin Mësimor, sidomos në mësimin e gjeografisë e të historisë. Këto ekskursione ai i quante “Argëtime Arkeologjike e Gjeografike”.
Gjeçovi, hartues i teksteve shkollore
Atë Shtjefën Gjeçovi – Kryeziu gjatë jetës së vet nuk shkroi ndonjë vepër të veçantë pedagogjike, madje nuk i regjistroi as kujtimet e tij si mësues, megjithatë problemet e arsimit dhe të edukimit të popullit shqiptar, në veçanti të brezit të ri, i trajtoi në shumë studime, artikuj, libra e publikime të tjera, që i shkroi e disa prej të cilave edhe i botoi. Në shkollat ku ka dhënë mësim Atë Shtjefën Gjeçovi vazhdimisht përpiqej të siguronte tekste mësimore.
Pikëpamjet pedagogjike Gjeçovi më së miri i shprehu në veprën e parë “Agimi i Gjytetnis “, pastaj në novelën “Besë e Dashtni “, përkatësisht “Mnera e Prezës “. Në fakt, këto vepra e vënë Gjeçovin në radhët e para të hartuesve të teksteve mësimore. Sidomos “Agimi i gjytetnis” e bënë Gjeçovin pjesë të historikut të shkollës e të mendimit pedagogjik shqiptar.
Në fakt, sipas këtyre veprave Gjeçovi e shihte njeriun si qenie shoqërore, por edhe aktivitetin e tij e konsideronte të vlefshëm vetëm në shoqëri, sepse jashtë shoqërisë ekzistencën e njeriut nuk e shihte. Për këtë ai thoshte se njeriu jashtë shoqërisë është “gjymtyrë pa shpirt”, apo “…i mjerë m’i t’mjerë kishte me kenë (njeriu) pa shokë”, “njeriu pa shoqni si peshku pa ujë”, “njeriu i vetëm – i tretun”, “ni gur s’ban mur”, “nuk mahet shpija me ni shtyllë”, etj.
Sipas Gjeçovit edukata shërben për ta mëkëmbur njeriun që “t’i shfillojë mënuen e shisën”. Ai thoshte se edukimi i njeriut fillon që në moshën e re, menjëherë pas lindjes. Pastaj, përveç kujdesit prindor, për rritjen e fëmisë “duhet ni mësues”, sepse Gjeçovi edukatën e shikon si një proces që vazhdon edhe pas rritjes. Në veçanti Gjeçovi e vlerëson lartë rolin e gruas si nënë në edukimin e fëmijëve, sidomos kur thotë se “m’ju o nana, e n’dorë t’uej asht pshtetë e mira dhe e zeza e fëmisë”.
Vlerën e edukatës, thotë Gjeçovi,ia jep nëna fëmijës. Këtë e bazon në radhë të parë në dashurinë e saj për te. Me një fjalë “si ta mson nana fmijn n’kam të vogla, ashtu punon kur t’rritet”.
Për Gjeçovin çdo femër mund të bëhet nënë, por jo edhe nënë e mirë, sepse ajo që nuk është e edukuar dhe e pajisur me virtyte të mira, sigurisht se nuk do ta edukojë fëmiun e vet si duhet.
Gjeçovi asnjëherë nuk ngurroi të ngrit zërin se “moskenja e giuhës dhe padija e kanë lënë shqyptarin mbrapa”, e dituritë nuk mund të përhapeshin pa e forcuar arsimin dhe edukatën kombëtare.
Për punën në edukimin e brezeve, Gjeçovi e konsideron se rol të rëndësishëm ka edhe përvoja, e cila duhet t’u jepet fëmijëve nëpërmjet të trashëgimisë gojore, si përrallave, fjalëve të urta, gojëdhënave, ndodhive, pra nëpërmjet të folklorit e të letërsisë në përgjithësi.
Si pjesë përbërëse të edukatës Gjeçovi e përfshinë edukimin mendor dhe atë të shqisave.
Vend të merituar në këtë kontekst i jep lëndëve të veçanta të gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë, shkencave të natyrës e kështu me radhë, kurse nga roli i lëndëve shoqërore ai e veçon në radhë të parë edukatën morale.
Kështu, në veprën “Agimi i gjytetnis” Gjeçovi ka bërë përpjekje t’i trajtojë konceptet dhe normat morale. Mu për këtë ai (Gjeçovi) edhe gjatë gjithë jetës u kujdes shumë për mbledhjen e lojërave për fëmijë nga visari ynë i begatë popullor.















