Nga Alfred Lela
Në mitologji hapja e kutisë së Pandorës simbolizon atë që kafshimi i mollës në kopshtin e Edenit përfaqëson për fenë e krishterë. Bota nis prej aty. A ishte edhe videoja dhe denoncimi i deputetit socialist Doshi një kuti që do të krijojë një botë të re politike?
Informaliteti institucional: shteti hedonist i restoranteve
Ngjethëse dhe njëkohësisht qesharake, në rrëfimin e ministrit të Brendshëm Tahiri gjatë komunikimit të dinamikës së megaçështjes ‘Doshi’, ngrinte krye një frazë që Durim Bami i kish shqiptuar funksionarit të lartë të Republikës: “jam Duri nga Fushë-Kruja”. Logjika e një dialogu të tillë mund të vazhdonte me: “jam Sajmja nga Kombinati”. Ky episod, por edhe shumë të tjerë të bërë publikë gjatë përpjekjes për transparencë a më saktë propaganda, në lidhje me rastin në fjalë, deshifrojnë qartë një informalitet të skajshëm të institucioneve shqiptare dhe krerëve të tyre. Trajtat e një ngjarjeje të paktën serioze, në mos shumë të rëndë, lëvizin e interpretohen sa në vila plazhi, sa në darka, dreka, kafene e restorante. Prokurori i Përgjithshëm në një drekë më tha…Ministri i Brendshëm pas një darke…Kryeministri pas një shisheje verë….Zyrat e shtetit përmenden rrallë, por edhe kur ndodh, nuk është se aty thelbësorja merret parasysh. Preferohet informaliteti për gjëra shumë zyrtare, por nuk është vetëm i kësaj prerjeje shqetësimi. Duket sikur punët e shtetit shqiptar lëvizin në duart e katër pesë njerëzve, të cilët janë shokë të rastit që u ka veshur pushteti dhe ata lëvizin fije për hatër të njëri-tjetrit.
Tomë Doshi, sindroma Joseph Kennedy?
Joseph Kennedy, babai i një presidenti, një senatori, një prokurori të përgjithshëm federal dhepater familias i një dinastie që ende vazhdon të banojë në imagjinatën amerikane, u përfshi ndër të tjera, para edhe se vetë të bëhej ambasador i ShBA-së në Lodër, në kontrabandë pijesh alkoolike gjatë Prohibicionit. Megjithëse të dhënat janë të pakta, britanikja The Independent e titullon një profil të Kennedy-t senior: Politikani kontrabandist, ai mund të kishte çdo gjë përveç asaj që donte më shumë. Kështu që Joe Kennedy përdori paratë dhe influencën e tij të paanë për të promovuar brezin pasardhës. Po si e bëri pasurinë që e ndihmuan atë të blinte Presidencën?Aludimi është i qartë për të birin, presidentin amerikan John Kennedy. A është Shqipëria, si Amerika e fillimshekullit të shkuar, në dhimbjet e lindjes së kapitalizmit legjitim nëpërmjet ilegjitimitetit? A është Tomë Doshi dhe disa figura të tjera me dritëhije të botës së biznesit, njëfarë Joseph Kennedy i cili punon dhe pret në hije që në mos fëmijët, nipërit e tij të jenë kryeministri i vendit, edhe mbi shpatullat e forta të influencës dhe parave të tij? Z. Doshi mund të mos ketë një diplomë nga Harvardi si Kennedy, por ka një forcë të mendjes, një diplomë në llojin e vet, dhe guximin e sipërmarrjes. A mos është lufta e nxehtë e së sotmes paradhoma e luftës së ftohtë të së nesërmes për një vend në komandën e Shqipërisë. Fëmijët e Ilirit apo të Tomës?
Vrasja, një tjetër instrument politik?
Vrasjet për synime politike nuk janë krismë e re nën qiellin shqiptar. Në kohën e mbretit Zog shënohen disa syresh, përfshirë këtu edhe një radhë përpjekjesh për ekzekutim të vetë monarkut shqiptar, ndër to edhe një plagosje nga atentatori me mbiemër të çuditshëm gjerman dhe një emër mysliman: Beqir Valteri. Në skenën e përgjakur të atentateve politike u shtrinë Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Esat pashë Toptani e Avni Rustemi. Vrasjet politike në kohën e diktatorit Hoxha ishin një modus operandi në punët e siguracionit të pushtetit. Pas rënies së Murit dhe nisjes së tranzicionit demokratik u duk se nevoja për zhbërjen e kundërshtarit politik, jo me anë gare elektorale por me armë, nuk ishte më një thirrje e nevojës. Azem Hajdari, lideri demokrat i Dhjetorit, i shpëtoi një atentati në Kuvend vetëm me plagë, por jo një të dyti në caqet e selisë së PD, në shtator 1998. Nuk dihen ende motivet e vrasjes së pazbardhur të deputetit socialist Fatmir Xhindi. Skenari i një vrasjeje të re dhe të dyfishtë politike u shfaq falë denoncimit të një prej të piketuarve nga porositësit, Tom Doshit. I cili identifikoi si ‘armikun e tij të vetëm Ilir Metën’, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Detajet e zbuluara në shtyp të një ekzekutimi potencial dhe ende në pelenat e hamendësimit, janë rrëqethëse. Njoftim i kobshëm i asaj se vrasja është tashmë një tjetër instrument politik.
Të përhershmit e politikës: ku shkon personazhi?
Ilir Meta nuk e ka të parën përballje me një skandal të madh. Në vitin 2011 vartësi i tij në parti dhe qeverinë ‘Berisha 2’ ku Meta ishte zëvendës, e përgjoi gjatë një bisede në qendër të së cilës silleshin shuma të konsiderueshme në euro, biseda telefonike me të tretë, ku shefi i LSI luante ndërmjetësin, përmendje emrash në hierarkinë e pushtetit politik e gjyqësor, e të tjera. Pasi dha dorëheqjen, u gjykua dhe doli i pafajshëm, Meta u rikthye politikisht duke braktisur Berishën në prill 2013 dhe duke bërë aleancë me opozitën e Ramës. Me të erdhi në pushtet pak muaj më vonë. Kur u prit që z. Meta t’i kish shpëtuar gjykimit të drejtësisë, por jo asaj të publikut apo Zotit, ndodhi e kundërta. Ai i katërfishoi mandatet në parlamentin e pas 23 qershorit duke ulur nën ngjyrat e LSI në Kuvend rrafsh 16 deputetë. I cilësuar nga opinionistët si kingmaker, karriera spektakolare dhe e çuditshme e z. Meta u fut nën gjendjen ‘pause’. Qetësia olimpike që rrezatonte që prej poltronës së lartë të kryeparlamentarit u hapi udhë disa pikëpyetjeve. Si në teatrin antik grek zhvillimi i personazhit Meta kërkonte një ngjitje, sublimim apo exit, një dalje nga skena. Kori është i ndarë, por fati që orakulli i parathotë personazhit, është vetëm një.
Sindroma ‘të kam një video, do ta nxjerr”
Teoritë e komunikimit politik përkufizojnë si ‘sindromë skandali’ atë rast kur çdo episod i jetës së protagonistëve politikë, private apo publike, emërtohet si skandal. Ndërkohë që gradimi si ‘skandal’ i një ngjarjeje kërkon diçka më shumë se buja. Videoregjistrimi si mjet i provës dhe identifikimit të një kundravajtjeje, në Shqipëri po merr trajtat e ‘sindromës së videos’. Fuqizuar edhe nga teknologjia e celularëve smart tani gjithkush e ka një provë dhe një kërcënim për gjithkënd. Do të nxjerr një video; i ka një video; pritet publikimi i një videoje; e të tjera janë bërë pjesë e fjalorit politik. Forma të shantazhit si ndaj kundërshtarit ashtu dhe ndaj të ngjashmit, kolegut apo mikut. Kjo është prova se mjetet e informimit dhe të transparencës mund të kthehen edhe në banalitete të demokracisë. Sindroma e videoregjistrimeve përbën një kërcënim edhe për privacinë e tjetrit. Si në çdo gjë tjetër, as kjo nuk do t’i shpëtojë megjithatë ndarjes në bardh-e-zi, mirë-a-keq, apo kategorizimeve të tjera të rrafshit moral. Kufizimet janë pjesë e repertorit të demokracisë, por kur videot i shërbejnë transparencës dhe e pajisin opinionin publik me mjete të reja identifikimi dhe krahasimi të atyre që i qeverisin, çdo prurje duhet të marrë urra-në e saj.
Politika dhe drejtësia shqiptare: Homos corruptus
Nuk është diçka që nuk e dinim, por prapaskenat e kësaj here e tronditën fushëpamjen dhe pikëpamjen e politikës dhe drejtësisë, siç shpërthimet me tritol ngrenë zgupthi makina e ndërtesa gjatë këtyre muajve të gjatë qeverisjeje të majtë. Raportet ndërkombëtare e theksojnë këtë zhytje në korrupsion të politikës e drejtësisë, trajtat obeze të së cilës i pamë edhe në raportet e ambasadës amerikane në Tiranë, rrjedhur nga Wikileaks. Për të mos qenë abuzivë, korrupsioni është problem i shoqërisë dhe jo vetëm i levave të pushtetit. Megjithatë nga këto leva pritet që të ndëshkohet edhe korrupsioni i vogël, e jo që ato vetë të luajnë korrupsionin e madh. Duke bërë, sa për të thënë e sa për të mbajtur të ndezur flakëzën e luftës antikorrupsion, ndëshkime cironkash. Në postfactum të rastit Doshi jemi përballur edhe me kufijtë e institucioneve që ndërfuten te njëri-tjetri nëpërmjet një marrëdhënieje personale permanente mes krerëve të tyre. Fort tragjike që ndarja institucionale është në pikën zero, dhe shembull i fundit i kësaj është takimi i përbashkët kryeministër-kryeprokuror-ministër i Brendshëm-kryetar parlamenti për të folur për një akuzë të një deputeti të mazhorancës kundër njërit prej të pranishmëve në atë kokë-më kokë.
Një lëvizje e re politike: a është e mundur?
Ngjan sikur xhirot që do vinin në punë mekanizmin e një lëvizjeje të re në skenën politike shqiptare janë harxhuar të gjitha. Dështimi i fundit dramatik dhe i turpshëm ishte përpjekja e shoqërisë për të vënë në lëvizje helikat e Aleancës Kuqezi, një grupimi që u dha në prag të politikës me idealizëm dhe e vazhdoi për ta mbyllur me sharlatanizëm. Një tjetër përpjekje, edhe pse më vitale e më estetike, u pa pak vite para të sipërpërmendurës, te silueta e lëvizjes rinore e sociale “Mjaft”. Pasi fitoi terren, lëvizja u shndërrua në një trajtë më të ngurtësuar të vetes, të quajtur G99. Pas dështimit në të parën garë elektorale në vitin 2009, eksponentët e lartë të saj kaluan në Partinë Socialiste duke legjitimuar dyshimet se “Mjaft” dhe G99 nuk ishin gjë tjetër veçse mekanizma të Edi Ramës dhe PS. Ndërkombëtarët, me zë e nën zë, flasin, cysin dhe pothuajse ëndërrojnë një Lëvizje të re politike, jashtë ndikimit të dy partive të mëdha, e sidomos LSI. Por ndoshta duhet të prekim fundin, para se të kujtohemi për një nisje nga fillimi. Siç ndoshta opozita do të mund ta gjejë te vetja tharmin e dikurshëm të idealizmit dhe të kthehet në një lëvizje të re. Apo mos këto janë ëndërrime sepse: ëndërron më shumë ai që shpreson më pak.















