Sipas raporteve zyrtare që posedon edhe Gazeta Express muajin e kaluar Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione antidrogë në disa pjesë të territorit të Kosovës dhe ka sekuestruar në total mbi 200 kg lëndë narkotike të tipit marihuanë e cila sipas Policisë së Kosovës, kryesisht vjen nga Shqipëria.
“Mund të themi se mariuhana në shumicën dërrmuese të rasteve vjen nga Shqipëria dhe Kosova është vend tranzit.” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazetën Express.
Policia më tej ka nënvizuar se shtimi i marihuanës vë në rrezik edhe shtetin e Kosovës.
“Shtimi i marihuanës edhe nëse vetëm kalon nëpër Kosovë është rrezik, rreziku rritet nëse shtohet numri i përdoruesve dhe kultivuesve.”
Shqipëria muajt e fundit është kthyer në një pikë kultivuese e lëndëve narkotike. Në dhjetëra operacione policore është sekuestruar tonelata lëndë narkotike por raportet ende e tregojnë Shqipërinë një kultivuese të drogës. Vetëm para dy muajsh në zonën e Durrësit u zbulua një pistë e vogël në të cilën uleshin avionë për tu mbushur me hashash.
Edhe gazeta Italiane Corriere Della Sera në një shkrim duke iu referuar policisë italiane ka bërë të ditur se përgjatë dy viteve të fundi është dyfishuar prodhimi i lëndëve narkotike në Shqipëria duke e arritur masën 1000 ton lëndë narkotike e prodhuar për 1 vit.
Megjithatë Policia e Kosovës thekson se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka intensifikuar luftën kundër dukurisë së narkotikëve.






















