Dokumenti origjinal i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë mbetet ende një çështje e hapur për aq kohë sa ky dokument nuk është gjetur dhe procesi i kërkimit nuk është quajtur i mbyllur.
Historiani i njohur shqiptar, Paskal Milo thotë se gjetja e tij është një proces i vështirë. Megjithatë, Milo thotë se historianët nuk janë dorëzuar. Nga hulumtimet e deritanishme mendohet se ky dokument mund të ketë përfunduar në duart e familjarëve të Ismail Qemalit, konkretisht te djali i tij, që ka jetuar dhe ndërruar jetë në Strugë.
Historianët po bëjnë kërkime edhe nëpër arkivat e huaja, por deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se ku mund të gjendet ky dokument themelor i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
“Me gjithë përpjekjet që po bëjnë historianët qoftë në arkivat shqiptare qoftë në ato të huaja deri tani nuk është rënë në gjurmë të dokumentit themelor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, për fat të keq gjithnjë. Ai dokument në mënyrë enigmatike duhet të ketë përfunduar diku ose nga familjarët e Ismail Qemalit që mendohet se mund ta ketë pasur një nga djemtë e tij dhe pikërisht ai që e ka mbyllur jetën në Strugë ose mundet dhe rastësia dhe fatkeqësia që mund të jetë zhdukur dhe që për fat të keq nuk do ta kemi më por, kërkime bëjnë historianët nëpër arkivat por deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se mund të gjendet”, ka thënë Milo për Kosovapress. “Ne nuk jemi dorëzuar, do vazhdojmë ta kërkojmë por gjithsesi është një proces i vështirë”, ka shtuar më tej historiani.
Këto deklarata Paskal Milo i bëri pas punimeve të një konference shkencore me temë ndërkombëtare “70-Vjetori i Çlirimit, Ngjarje e Rëndësishme Kombëtare”. Referatet e kësaj konference trajtuan këndvështrime dhe prurje të reja për karakterin dhe rëndësinë e ngjarjes historike të 70-Vjetorit të Çlirimit, ku sipas historianëve historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve gjatë Luftë së dytë Botërore duhet të rishkruhet e parë në distancën e 70-viteve, në dritën e dokumenteve të reja arkivore, vendase e të huaja, mbështetur edhe në studime të thelluara monografike.
Në konferencën “70-Vjetori i Çlirimit – Ngjarje e Rëndësishme Kombëtare”, referuan Profesorët Bernard Fischer, Xhelal Gjoveçi, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Vasil Tole, etj.
















