Shqipëria rezulton të jetë një nga 54 shtetet me të cilat CIA ka bashkëpunuar për aktivitete e tortura të jashtëligjshme. Në raportin e detajuar prej 6 mijë e 700 faqesh, lexohet se një nga vendet qe lehtësuan punën e CIA-s ishte edhe Shqipëria. Në raport nuk tregohet se ku konsistonte saktësisht “puna” e secilit vend. Mësohet se janë 21 shtete evropiane, mes të cilave 17 anëtare të Bashkimit Evropian që janë angazhuar në këto aktivitete të CIA-s. Raporti i fundit mbi praktikat torturuese të CIA-s ndaj të dyshuarve për terrorizëm, u publikua sot në gazetën britanike “The Guardian”. Specialja e publikuar shkon përtej analizës duke shkruar se në programin e CIA-s përveç Amerikës janë thellësisht të përfshirë edhe shumë prej aleatëve të saj europianë. Ndonëse për vite me radhë është përfolur se ekzistojnë burgje sekrete amerikane në disa shtete, në vitin 2007 një hetues në Këshillin Europian i hodhi poshtë këto zëra duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme. Por në saj të punës së disa organizatave joqeveritare është hedhur pak dritë mbi këtë çështje, e klasifikuar si “sekrete shtetëror”. Sipas informacionit të hartuar nga to, të paktën 54 qeveri kanë bashkëpunuar në këto aktivitete të CIA-s. Ndër 17 vende europiane, krahas Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Spanjës e Greqisë renditet edhe Shqipëria. Ende nuk qartësohet sesi i kanë ardhur në ndihmë CIA-s këto shtete, por sipas raportit, disa prej tyre mund të kenë bashkëpunuar për të burgosur të dyshuarit ose thjesht si stacione ndalimi për fluturimet e largëta që u duheshin për të transportuar personat e kapur nga CIA. Por akoma duhet hedhur dritë mbi çështjen e bashkëfajësisë evropiane. Kjo është për shkak të sekreteve të mbajtura për vite nga SHBA dhe qeveritë partnere. Uashingtoni nuk e ka konfirmuar vendndodhjen e burgjeve sekrete të CIA-s, por as e ka mohuar, duke lënë kështu të painformuar një publik të gjerë ndërkombëtar. Presidenti amerikan, Barak Obama, e kishte ndaluar programin e marrjes në pyetje nga CIA kur ai ka marrë detyrën në vitin 2009, dhe pati pranuar se metodat e përdorura për marrjen në pyetje të të burgosurve të Al-Qaeda, kishin arritur në torturë. OKB: Zyrtarët e SHBA të ndiqen ligjërisht Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe antiterrorizëm, Ben Emmerson, ka bërë thirrje për ndjekje ligjore të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, që ishin të përfshirë në atë, që në raportin e Senatit amerikan, u vlerësuan si marrje “brutale” në pyetje e të dyshuarve për terrorizëm. Në këtë raport, që u publikua të martën vonë, theksohet se teknikat e zgjeruara të hetimeve “nuk ishin mjete efektive për sigurimin e informatave të sakta ose për fitimin e bashkëpunimit të të burgosurve”. Emmerson, tha se zyrtarët e lartë nga administrata e ish-presidentit, George Bush, që i planifikuan dhe i autorizuan krimet, duhet të ndiqen ligjërisht, e po ashtu, edhe zyrtarët qeveritarë dhe ata të CIA-s si përgjegjës për torturë. Në deklaratë theksohet se Shtetet e Bashkuara janë “juridikisht të obliguara për sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”. Nga ana tjetër, Bashkimi i Lirive Civile Amerikane, i ka bërë thirrje prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, që ta emëroj një prokuror special për hetimin e zyrtarëve që “krijuan, miratuan, kryen dhe e fshehën programin e torturës”. “Shkelësit duhet të ndiqen penalisht”, ka theksuar ky grup dhe ka shtuar se në sistemin amerikan “askush nuk mund të jetë mbi ligjin”. Drejtori ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Kenneth Roth, tha se nëse publikimi i raportit nuk çon në ndjekje ligjore të zyrtarëve, “tortura do të mbetet opsion politik për presidentët e ardhshëm”. Raporti prej 6 mijë faqeve, është përpiluar pas pesë vitesh të hetimeve nga Komiteti i Senatit për Inteligjencë. Megjithatë, është publikuar vetëm një version i edituar prej 525 faqeve. Në të janë detajuar metodat e marrjes në pyetje të agjencisë CIA, gjatë hetimeve ndaj grupit operativ të dyshuar të al-Kaidës dhe për kapacitetet e fshehta në Evropë dhe Azi, në vitet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kundër Shteteve të Bashkuara. Më tutje, në raport konkludohet se agjencia CIA ka përdorur teknika gjatë marrjes në pyetje të terroristëve të dyshuar, që ishin “brutale” dhe “shumë më të këqija” se sa që ishin informuar zyrtarët. Sipas raportit, metodat kishin dështuar të nxjerrin informata të drejta. Po ashtu, theksohet se CIA i kishte keq-udhëhequr “politkëbërësit dhe të tjerët” për nivelin e brutalitetit të teknikave, kundër të dyshuarve për terrorizëm, në vitet pas sulmeve terroriste. Në metodat e përdorura ishin përfshirë abuzimet fizike, që ishin bërë “përkundër vërejtjeve të personelit mjekësor të CIA-s” se teknikat “mund t’i përkeqësojnë lëndimet fizike”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka vlerësuar se zbulimet në raport ishin “shqetësuese”. “Jam i shqetësuar për pasoja potenciale tej oqeanit, për të cilat kemi ndërmarrë masa paraprake në përpjekje për ta zvogëluar çfarëdo rreziku shtesë, mendoj se ishte e rëndësishme për ne ta publikojmë raportin, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë në mënyrë precize se përse unë i ndalova këto praktika, si një nga veprimet e para që i ndërmora kur u bëra president, dhe shpresoj se ne nuk do të bëjmë gabime të tilla përsëri”, tha Barack Obama, në një intervistë për rrjetin televiziv amerikano-spanjoll, Telemundo. Nëpërmjet një deklarate, drejtori i CIA-s, John Brennan, tha se kjo agjenci ka bërë gabime dhe ka mësuar nga ato. Por, ai theksoi se teknikat detyruese “prodhuan inteligjencë që ndihmoi në shmangien e planeve për sulme, për zënien e terroristëve dhe për shpëtimin e jetëve”. Ish-zëvendëspresidenti, Dick Cheney, i tha së përditshmes, New York Times, se hetimet ishin “absolutisht dhe totalisht të arsyeshme”, pasi e mbajtën “vendin të sigurt ndaj më tepër sulmeve me viktima masive, që ishte objektivi ynë”. Në këtë debat është përfshirë edhe senatori republikan me ndikim, John McCain, i cili dikur ishte edhe vetë i burgosur i luftës. “Nga përvoja ime personale, e di se abuzimi i të burgosurve do të prodhoj më tepër inteligjencë të keqe se të mirë”, tha McCain, gjatë diskutimit në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi se “qartas na duhet inteligjencë për t’i mundur armiqtë tanë, por ne na duhet inteligjencë e besueshme dhe se tortura prodhon më tepër informacione keq-drejtuese se sa inteligjenca vepruese”. Sipas tij, edhe në rastin e kërkimit për Osama bin Ladenin, informatat më të rëndësishme ishin ato që erdhën nga “metodat konvencionale të marrjes në pyetje”. Senatorët e tjerë republikanë e kontestuan konkluzionin se metodat e hetimeve të agjencisë CIA, të theksuara në raport, dështuan të sjellin inteligjencë që ka çuar në zënien e figurave kryesore terroriste. Dy senatorë republikanë kanë shprehur shqetësime, që ishin dëgjuar më herët nga kritikët, për vendimin që të publikohet raporti për publikun, duke thënë se kjo mund të ketë “pasoja serioze” për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. CIA mori në pyetje të dyshuar për terrorizëm në Poloni Ish-Presidenti polak Kvashnjevski thotë se Polonia ka lejuar CIA-n të operojë një burg sekret në territorin e saj, por ai thotë se zyrtarët polakë nuk kishin autorizuar përdorimin e torturave në këtë objekt. Në një intervistë sot me radion e Varshavës zoti Kvashnjevski tha se mbi 10 vjet më parë i pati bërë thirrje Presidentit George Bush të ndalte të gjitha operacionet e shërbimeve të zbulimit në këtë burg. Kvashnjevski tha se këto përpjekje u ndalën pas disa kohësh. Besohet se CIA operoi objektin sekret nga 2002-2003. Organizata për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për ndjekjen penale të zyrtarëve e përfshirë në zbatimin e metodave të ashpra. I dërguari special i OKB-së për të drejtat e njeriut tha se raporti i Senatit thekson nevojën për vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve. Human Rights Watch thekson se nëse nuk ka përgjegjësi penale, tortura do të mbetet opsion veprimi. Publikohet raporti mbi teknikat e marrjes në pyetje nga CIA Një raport i Senatit thotë se Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, ka torturuar persona të dyshuar si terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, gjatë procesit të marrjes në pyetje të këtyre personave, në forma që bien ndesh me vlerat amerikane. Komisioni i Senatit për Zbulimin e nxori të martën raportin, duke thënë se CIA kishte keqtrajtuar të burgosur që i dyshonte për terrorizëm dhe nuk i kishte dhënë informacionin e plotë kongresit dhe publikut lidhur me efektivitetin e këtyre metodave për të nxjerrë informata nga të dyshuarit. Ndër metodat e përdorura ishin privimi i gjumit dhe simulimi i mbytjes në ujë. Senatorja Dianne Feinstein u shpreh gjatë prezantimit të raportit: “sido që ta përkufizosh këtë term, CIA ka torturuar të ndaluar”. “Kjo tregon se veprimet e CIA-s një dekadë më parë janë një njollë mbi vlerat dhe historinë tonë”. Kur erdhi në post, Presidenti Barak Obama ndaloi përdorimin e taktikave të torturimit të të dyshuarve për terrorizëm që i kishte autorizuar para-rendësi i tij George Bush pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Pas nxjerrjes së raportit, drejtori aktual i CIA-s John Brennan pohoi se gjatë marrjes në pyetjeve të ndaluarve për terrorizëm, agjencia “nuk respektoi standardet e larta që i ka vënë vetes”. Por ai tha se CIA “ka nxjerrë mësime nga gabimet e saj”. Ai iu kundërvu përfundimit të Senatit se metodat e marrjes në pyetje nuk ishin të efektshme, duke thënë se përkundrazi ato “ndihmuan për të parandaluar sulme me avionë, për të kapur terroristë dhe për të shpëtuar jetë”. Ish-drejtori i CIA-s Michael Hayden hodhi poshtë akuzat se CIA ka gënjyer për këtë program. Ai tha se nxjerrja e raportit e bën më të vështirë bashkëpunimin në të ardhmen të vendeve të tjera me Uashingtonin në luftën kundër terroristëve. Objekte diplomatike dhe ushtarake amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara kanë qenë në gjendje gatishmërie për reagime të dhunshme ndaj raportit. Raporti i Senatit është dokumentimi i parë publik i torturave për të cilat akuzohej CIA gjatë asaj që administrata e Presidentit Bush e cilësoi si Lufta Globale kundër Terrorizmit. Reagime në SHBA ndaj raportit për CIA-n Senatori republikan John McCain ishte njëri nga disa anëtarët e partisë së tij që e përshëndetën publikimin e raportit mbi praktikat brutale të CIA-s për marrjen në pyetje pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara. Zoti McCain, dikur i burgosur lufte në Vietnam, komentoi plot pasion në mbështetje të raportit prej 6000 faqesh, një përmbledhje e të cilit u publikua dje. Ai foli në hollësi për ato që mund të barazohen me tortura në burgjet e fshehta të CIA-s jashtë vendit. Duke folur në sallën e Senatit, zoti McCain vlerësoi raportin e Komisionit të Zbulimit mbi taktikat e marrjes në pyetje të elementëve të kapur të al-Kaidës dhe personave të tjerë ndërmjet viteve 2002 dhe 2009 në burgjet sekrete të CIA-s në Afganistan, Poloni, Rumani, Kubë dhe vende të tjera. “Mendoj se populli amerikan ka të drejtë, madje ka përgjegjësinë për të ditur atë që është bërë në emër të tij, të dijë nëse këto praktika i kanë shërbyer ose jo interesave tona, dhe nëse përputhen me vlerat tona më të rëndësishme,” tha senatori McCain. Senatori McCain shpreson se raporti, i cili flet për praktika të tilla si simulimi i mbytjes apo privimi i gjumit dhe hidratimi, do të parandalojë dukuri të ngjashme në të ardhmen. “Përdorimi i torturës kompromenton atë që na dallon ne më tepër nga armiqtë tanë, besimin tonë se të gjithë njerëzit, edhe armiqtë e kapur, zotërojnë disa të drejta themelore të njeriut, të cilat mbrohen nga konventat ndërkombëtare, ku Shtetet e Bashkuara jo vetëm aderojnë por edhe i kanë hartuar në pjesën më të madhe.” Zoti McCain, kritik i shpeshtë i administratës, në këtë rast nuk u bashkua me partinë e tij, por dënoi këto praktika abuzive të marrjes në pyetje, të cilat, thotë ai, nuk çojnë në kapjen e terroristëve. “Natyrisht ne kemi nevojë për informacione zbulimi për të mundur armiqtë tanë, por kemi nevojë për informacione të besueshme. Tortura prodhon informacione më të pasakta se sa zbulimi në terren.” Zoti McCain e ka vuajtur vetë torturën gjatë pesë vjetëve e gjysmë që u mbajt i burgosur në Vietnamin e Veriut, deri sa u lirua në vitin 1973. Nën trysni, ai nënshkroi një deklaratë të propagandës komuniste para se më në fund të kthehej në atdhe me dëmtime të pariparueshme. Republikanët dhe zyrtarë të tjerë të ish-administratës së presidentit Bush, vazhdojë të mbrojnë taktikat e CIA-s për marrjen në pyetje, duke thënë se ato ndihmuan për të parandaluar sulme të tjera terroriste. “Nga administrata, nga Kongresi dhe nga publiku amerikan presionet ishin të mëdha: a do të ketë një sulm tjetër? Sepse kishte plot raporte ku thuhej se po planifikoheshin sulme të tjera,” tha zoti Allen, ish nëndrejtor i CIA-s. Senatori republikan Saxby Chambliss, i cili fillimisht e kundërshtoi publikimin e raportit, në fillim të këtij viti votoi pro publikimit të tij. “Unë votova për për deklasifikimin e raportit, por publiku i gjerë le të vendosë vetë nëse kjo u bë siç duhet dhe nëse nga këto taktika u nxorën informacione që çuan jo vetëm në eliminimin e Bin Ladenit, por edhe në zbulimin e komploteve të tjera terroriste gjatë një periudhe shumëvjeçare,” tha senatori nga shteti Georgia. Presidenti Barak Obama i ndaloi praktikat e debatueshme në vitin 2009 dhe e ka mbështetur publikimin e raportit, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të shkaktojë një reagim të ashpër nga persona armiqësorë ndaj Shteteve të Bashkuara. Ambasadat dhe misionet amerikane jashtë vendit janë vënë në gjendje gatishmërie të veçantë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...