Gjermania ka dëbuar vitin e kaluar në vendet e origjinës pak më shumë njerëz, se vitin e parë të pandemisë, por dukshëm më pak se vitet e kaluara. Shumica e dëbimeve janë kryer me Gjeorgjinë dhe Shqipërinë.
Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ka bërë të ditur se vitin e kaluar janë kryer rreth 11.982 dëbime nga Gjermania, më shumë se vitin e kaluar (10.800 vetë), kur trafiku ndërkombëtar ajror ishte më i prekur nga kufizimet e Coronës, por shumë më pak se vitet e kaluara.
Sipas njoftimit të Ministrisë Federale shumica e dëbimeve janë kryer me Gjeorgjinë dhe Shqipërinë. 1.116 vetë janë dëbuar në Gjeorgji, dhe 908 vetë në Shqipëri. Edhe në Kosovë e Turqi ka pasur dëbime. Rreth 400 vetë janë dëbuar në këto dy vende vitin e kaluar. Tek vendet e destinacionit për dëbime edhe vitin e kaluar u renditën Serbia, Pakistani, Moldavia dhe Rumania.
Gjermania prej vitesh nuk dëbon më njerëz në Siri, nga vera e kaluar u ndalën dëbimet në Afganistan, por vitin e kaluar në 470 raste u dëbuan qytetarë me origjinë nga Siria e pa të drejtë qëndrimi në Gjermani, veçse jo në Siri. Qeveria gjermane ka bërë të ditur, se kthimi i tyre në vendin e origjinës kryhet vetëm vullnetarisht.



















