Shpërthimi me eksploziv, reagon Edi Rama: Akt terrorist ndaj familjes së ministrit
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një akt terrorist, shpërthimin me lëndë plasëse në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Akti terrorist ndaj familjes së Ministrit të Brendshëm, kafshim monstrash që kanë marrë, po marrin dhe do të marrin atë që meritojnë: Dorën e shtetit në fyt deri në fryëen e tyre të fundit! Kemi çelur epokën e re të ndarjes së shtetit nga krimi dhe të luftës dinjitoze pa ndalim e as tolerancë të shtetit përballë krimit”, deklaroi sot z.Rama.
Më tej ai shton se Saimir Tahiri është në krye të kësaj lufte dhe shton: “Kush ka urdhëruar e ekzekutuar terrorin ndaj familjes së tij, duhet ta mësojë se sot i ka dhënë ministrit dhe të gjithëve, një motiv më shumë për të qenë krenarë e të frymëzuar në çdo qelizë, në kryerjen e detyrës së lartë në shërbim të vendit dhe njerëzve të vendit”.
Kryeministri e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se, “askush dhe asgjë nuk do të na ndalë në rrugën e Rilindjes për një Shqipëri që më në fund do të ketë shtetin e saj të fortë e të drejtë, shtetin modern të shqiptarëve”.
Shpërthimet me eksploziv, Tahiri me Llallën e Ajazin
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi sot një takim me kryetarin e SHISH, Visho Ajazi dhe Kryeprokurorin, Adriatik Llalla.
Takimi në ministrinë e Brendshme, lidhur me shpërthimet e ndodhura sot në kryeqytet zgjati rreth 20 minuta.
Mësohet se takimi mes Tahirit, Ajazit dhe Llallës kishte si qëllim, bashkërendimin e veprimeve pas ngjarjeve të dhunshme. Mes objekteve që shpërthyen këtë mëngjes, ishte edhe farmacia në pronësi të babait të ministrit Tahiri.
Grupi hetimor ka nisur punën në vendin e ngjarjes për të përcaktuar llojin dhe sasinë e eksplozivit të vendosur, ndërsa pritet të verifikohen nëse ka kamera të sigurisë të bizneseve që ndodhen përreth farmacisë, të cilat mund të kenë fiksuar ndonjë detaj për ngjarjen.
Reagime politike
Shpërthimet me eksploziv të regjistruara gjatë natës në Tiranë kanë qenë në fokus edhe të mbledhjes së Komisionit të Jashtëm. Kryetarja, Arta Dade, dënoi aktet e dhunës ndërsa shprehu solidarizimin me familjet e sulmuara me tritol. Aktet e dhunës u dënuan edhe nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Tre shpërthime në kryeqytet
Tiranë, 10 shkurt 2015, NOA.al-Tre shpërthime me lëndë plasëse janë shënuar në kryeqytet. Një prej tyre, ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e sotme në ambientet e një farmacie në kryeqytet, pronë e familjes Tahiri.
Tritol farmacisë së Tahirit
Shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Manastirit” pranë QSUT. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se farmacia ku ka ndodhur shpërthimi është në pronësi të Bashkim Tahirit, babai i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Mësohet se shpërthimi ka ndodhur me një sasi tritoli dhe se si pasojë e tij janë shkaktuar dëme të shumta materiale.
Pas shpërthimit në ambientet e farmacisë, policia deklaroi se ka marrë në mbrojtje familjen e Bashkim Tahirit.
Edhe dy shpërthime të tjera
Ndërkohë një tjetër shpërthim ka ndodhur në një godinë në kryeqytet, pranë rrugës “Arben Minga”.
Edhe nga kjo ngjarje ka dëme materiale por pa të lënduar në njerëz. Policia tha se ky shpërthim i dytë ka ndodhur në hyrje të banesës së një ish-efektivi të komisariatit nr.3, i identifikuar si Alfred Numani.
Gjithashtu një tjetër shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet pranë shkollës “Vasil Shanto”. Ndërsa u dyshua si sulm, bëhet e ditur se ky shpërthim është bërë nga policia në mënyrë të kontrolluar në stacionin e një autobusi, pasi nga qytetarët është gjetur një kallëp tritoli.
Nuk dihet ende se kush mund të ketë qenë personi që ka vendosur lëndën plasëse, duke bërë që të nisin hetimet nën dyshimin e një akti terrorist.
Nga ana e uniformave blu po hetohet për hedhjen dritë mbi rrethanat e këtyre ngjarjeve si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.














