Në një dalje para medieve nga selia e qeverisë, Rama bëri të ditur shumën që do të përfitojnë kategoritë e përfshira në skemë.
Kreu i qeverisë tha se kjo paketë shpërblimi konfirmon vëmendjen dhe kujdesin e qeverisë përtej të gjitha vështirësive financiare që ajo ka. “Kjo është një paketë e cila konfirmon plotësisht vëmendjen dhe kujdesin tonë përtej të gjitha vështirësive financiare edhe të këtij viti reformash dhe përpjekjesh të mëdha për të siguruar rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe për të mundësuar një të ardhme më të mirë jo si iluzion, por si qëllim objektiv i bazuar në realizimin e objektivave që përcakton rrugën e reformave dhe masat që i shoqërojnë reformat. Jemi ende në një fazë të ndërmjetme, operacioni kompleks i reformave në çdo sektor ka ecur mirë dhe do vazhdojë pa asnjë luhatje. Ajo që po bëjmë sot është e vetmja rrugë për të pasur nesër kushtet terësisht të ndryshme dhe mundësi shumë të mëdha për t’u dhënë shqiptarëve shtetin që meritojnë dhe mundësitë për të cilat kanë nevojë që të rrisin ekonominë familjare dhe të realizojnë ëndrrat e tyre”, deklaroi kryeministri.
Kategoritë përfituese
Shpërblehen me dy mijë lekë:
84 mijë përfitues të ndihmës ekonomike;
68 mijë persona me aftësi të kufizuara;
372 932 pensionistë;
145 580 persona që marrin pension kooperative bujqësore;
3595 persona që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe disa ndërmarrje të industrisë ushtarake
10660 persona që marrin pension të parakohshëm;
81 mijë kryefamiljarë që trajtohen me kompensim për energjinë elektrike.
Krahas paketës për personat dhe familjet në nevojë, Rama prezantoi edhe paketën e dytë të shpërblimeve për grupin e personave me merita të veçanta, ku përfshihen nxënësit e ekselencës, mësuesit, infermierët dhe punonjësit e administratës.
50 mijë lekë
Studentët e ekselencës;
Nxënësit e shkëlqyer me të gjitha 10-ta në sistemin parauniversitar.
40 mijë lekë
I gjithë grupi i mësuesve të spikatur që janë të dalluar në bazë të gjitha kritereve të përformancës të përcaktuara nga MAS-i dhe rezultateve të shkollave ku japin mësim në bazë të renditjes;
300 persona të dalluar në shërbimin spitalor publik, kryesisht infermierë, por në raste të veçanta edhe mjekë.















