Kjo kompani ka bërë disa ndërtime pa leje në kryeqytet, në kohën kur urbanizimin e drejtonte vetë Lulzim Nixha, shkruan lajmi.net
Në njërën prej ndërtesave banon kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe vetë drejtori i Urbanizimit të Prishtinës, Liburn Aliu.
Lajmi.net nuk ka marrë përgjigje nga kompania “Tregtia”, lidhur me atë nëse është marrë leje e shfrytëzimit për dy ndërtesat në “Matiqan” dhe se kush kanë qenë në komisionine.
Por, para disa ditëve, këshilli i Lagjes “Mati 1” – Kompleksi “Tregtia”, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se reshjet e shumta të shiut, ishin të kobshme për banorët e kësaj lagjeje tek banesat e ndërtuara nga ‘NTP Tregtia’.
Kjo pasi bodrumet e ndërtesave ishin vërshuar nga uji. Në njoftim thuhej se kompleksi “Mati 1 Tregtia”, me leje ndërtimi nr. 01-350- 26268/1, përmban afro 600 banesa të ndërtuara në dy faza të ndara.
“Në fazën e parë janë ndërtuar 450 banesa dhe janë lëshuar për banim në muajin tetor të vitit 2012, përderisa faza e dytë është lëshuar për banim gjatë fundit të vitit të kaluar (2015). Themelet e ndërtesave të reja janë të mbuluara me ujë që paraqet rrezik të madh për banorët e kësaj lagje. Rreziku më i madh për banorët paraqitet edhe si rezultat se uji depërton jo vetëm nëpër themelet e ndërtesave si pasojë e mungesës së drenazhës, mirëpo kalon edhe nëpër muret e brendshme ndërmjet ndërtesave si dhe nëpër kabinat e ashensorëve, çka mund të jenë tragjike”, thuhet në njoftim.
Banorët e kësaj lagje disa herë kanë bërë kërkesë zyrtare tek kompania ndërtuese që të bëjë sanimin e kësaj gjendje, mirëpo deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.
Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe tek Komuna e Prishtinës, me ç’rast banorët kanë kërkuar përkrahje nga kjo e fundit për të ndihmuar dhe kërkuar nga kompania ndërtuese që të bëjë rregullimin e drenazhës dhe të plotësojë të gjitha kërkesat tjera teknike, në pajtim me projektin për të cilën e ka marrë edhe lejen ndërtuese.
Megjithëkëtë, “Tregtia” po favorizohet vazhdimisht edhe nga qeverisja aktuale e Prishtinës, ajo deri më tani ka marrë disa leje të ndërtimit dhe është fituese për ndërtimin e kompleksit “Kodrina”.
Pavarësisht gjendjes së mjerueshme të ndërtesave, Komuna e Prishtinës vazhdon që të japë leje çdo vit për kompaninë ndërtuese ‘NTP Tregtia’, sidomos edhe për projekte të reja, sikurse që është rasti i lagjes/projektit “Kodrina’”.
“Tregtia” e cila është pronë e Bedri Prishtinës është ndër kompanitë e mëdha që kanë ndërtuar më së shumti pa leje pas luftës në kryeqytet.
Në regjistrin e ndërtimeve pa leje ne Prishtinë, figurojnë disa objekte pa leje të kësaj kompanie, siç është ndërtesa në lagjen “Dodona” në Rrugën “Afrim Loxha”, në lagjen ‘Kodra e Diellit’ në Rrugën “Armend Daci”, në lagjen Arbëria 3, etj.
Ndërkaq, sipas Udhëzimi admistrativ MMPH, nr 18/2013 për standardet minimale dhe procedurat për mbikëqyrje inspektive dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit, një objekte për të cilin nuk është lëshuar leja e përdorimit nuk guxon të lejojë banim në të, për më tepër janë paraparë edhe gjoba.
“Pronari i objektit ndërtimor që ka filluar përdorimin pa marrë certifdikaën e përdorimit, apo certifikatën e përkohshme të përdorimit është subjekt i gjobës prej 6000 euro. Lëshimi i certifikatës së përdorimit bëhet pas pranimit të aplikacionit të përdorimit, organi kompetent mund të bëjë inspektimin përfundimtar të vendit të ndërtimit për Ndërtim janë plotësuar.”, thuhet në këtë udhëzim admistrativ.

























