Përveç që bizneset kanë ndërtuar pa leje, ato nuk kanë bërë pagesat e qirasë së tokës që e shfrytëzojnë në tri vjetët e fundit.
Në mesin e rreth 30 bizneseve, të cilat bëjnë biznes në tokën e Komunës, ka edhe politikanë e biznesmenë që kanë marrë tender nga Komuna e Prishtinës, shkruan lajmi.net.
Ndërkaq, niveli i arkëtimit të të hyrave vetjake në Komunën e Prishtinës për vitin 2015 ka qenë 11.04 për qind më i ulët se në vitin 2014. Prishtina gjatë vitit 2015 ka arkëtuar gjithsej 18,035,992 euro të hyra vetjake, apo 67.65% të të hyrave të planifikuara për atë vit.
Zyra për informim e Komunës së Prishtinës nuk ka dashur të tregojë së cila ka qenë arsyeja që personat e caktuar vazhdojnë të shfrytëzojnë edhe me tej tokën e komunës pa kontratë dhe se kur do të procedohet me ato prona nga ana e Komunës.
Ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, njëherësh shef i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, ka thënë se Komuna e ka para vetës anën ligjore për të proceduar me ato prona nëse është e interesuar.
“Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për dhënien e pronave komunale. Bazuar në ligj, Komuna është dashur që të procedojë lidhur me ato prona, pra të bëjë njoftim publik për atë. Nëse nuk ka interes që pronat t’i japë me qira, pra nëse nuk ka interes që të inkasojë të hyra, prapë është dashur që t’i largojë nga aty shfrytëzuesit e tyre meqë u ka skaduar kontrata. Megjithëkëtë, aty ka një problem, ngase njerëzit kanë investuar aty duke bërë ndërtime, disa nga ta pa leje e disa me disa leje që ishin lëshuar pas luftës nga administrata e Fushë Kosovës, meqë ajo pjesë ka qenë nën menaxhimin e tyre”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Ai ka thënë se para disa viteve, ato prona ishin dhënë në shfrytëzim nga Kuvendi i Prishtinës dhe për to ishin inkasuar mjete.
Në një dokument që e posedon lajmi.net shihet që bizneset kanë pasur kontratë me Komunën, por u ka skaduar ajo. Shumicës u kanë skaduar kontratat që në vitin 2012, por menaxhmenti i ri komunal ka hezituar t’ua marrë qiranë pa një pëlqim të Kuvendit të Komunës, i cili është organ që ka në shfrytëzim tokat e Komunës.
“Ragip Mustafa ( N.N. “Beni Dona”), afati i lejes së përkohshme urbanistike i ka kaluar më 27.01.2012, ka ndërtuar objekte të forta pa leje. Ndërkaq, kompania “Elkos” nuk ka objekte, por toka shfrytëzohet si parking. Parcela nr 1498-12, 5766 m2 që shfrytëzohet nga ETC-ja ka sipërfaqe të shtruar me material të fortë. NN “Tregtia”, parcela nr. 1500-5 nuk ka të drejtë shfrytëzimi, ka ndërtuar objekte me material të fortë pa leje. “City Park” nuk ka të drejtë shfrytëzimi për 7 ari”, thuhet në këtë dokument lidhur me shumicën e pronave të Komunës, të cilat ndodhen në kufi me Fushë Kosovën.
Dokumenti ndër të tjera paraqet objekte me ndërtim të fortë, ku janë ndërtuar pa leje objekte me ndërtim të përkohshëm, po ashtu paraqiten dhe parcela ku nuk ka objekte.
Po ashtu pa leje kanë ndërtuar edhe NT “Daja”, “Villa Liria”, NTP “Carbonara Petrol”, SHPK “Mermer Granit Kosova”, NTP “Llapi com”, NPT “Agimi com”, “Vesa shped”, Bashkim Statovci, pronar i “Focus Partnership”. Ndërkaq, në proces gjyqësor me Komunën për pronat në Zonën Industriale janë Visar Abdullah Xhambazi për parcelën nr. 1498-3, Nexhip Xhambazi për parcelën nr. 1498-3 dhe Hilmi Xhambazi për parcelën nr. 1498-3.
Megjithëkëtë, disa nga bizneset, të cilëve po ashtu u ka skaduar kontrata e shfrytëzimit të tokës, kanë të ndërtuar objekte me karakter të përkohshëm. Bizneseve që u ka skaduar kontrata e shfrytëzimit që kanë ndërtuar objekte të përkohshme janë NTP “Ajroni Com”, Xhevahir Zuka pronar i DPZ “Zuka”, Milaim Bejta pronar i NP “Bushgegu”, Merkur Krasniqi pronar i autoservisit “Vali”, Ismer Rexhepi pronar i “Eurogoma”, Burim Sylejmani pronar i NTP “Doni com”, Jahja Krasniqi pronar i “Genti”, NTP “Arti”, ndërmarrja “Oferta”, “Te Musa”.
Një pjesë të madhe të tokës komunale sipas dokumentit e ka shfrytëzuar ose e shfrytëzon KFOR-i italian.
Ndërkaq, autoritet komunale kanë deklaruar se, asnjë objekte i cili është i ndërtuar pa leje në tokën e komunës nuk do të mund të legalizohet dhe do t’i nënshtrohet procesit të rrënimit.
Komuna e Prishtinës ka bërë evidentimin e pronave komunale në bashkëpunim me Helvetas Swiss Intercooperation. Është gjetur se mijëra hektarë tokë të Komunës shfrytëzohen pa ndonjë pëlqim të Komunës së Prishtinës që nga pas lufta. /Lajmi.net
























